Izraeli zgjeron ofensivën në Gaza, shkatërrohen 500 tunele të Hamasit

by admin
Spread the love

Izraeli zgjeroi mëngjesin e sotëm ofensivën kundër militantëve të Hamasit në Gaza duke goditur 200 objektivë në territorin e munduar prej luftës tashmë 59 ditore.

Manovrat tokësore të forcave izraelite të mbrojtjes po zgjerohen në  sektorin jugor të Gazës, ku disa tanke janë duke avancuar në veri të Khan Yunis. Shërbimet sekrete izraelite janë udhëzuar të eliminojnë liderët e Hamasit kudo që janë, thonë zyrtarë në Tel Aviv. Mbi 800 tunele të Hamasit janë lokalizuar dhe 500 prej tyre janë shkatërruar që prej fillimit të luftës, njofton IDF. Tunelet në fjalë ndodheshin në zona civile, shumë prej të cilëve ishin pranë disa shkollave, kopshteve e xhamive..

Që nga përfundimi i armëpushimit, të premten, luftimet në Gazë kanë rifilluar të ashpra mes Hamasit dhe trupave izraelite që avancojnë, ashtu si edhe lëshimet e raketave nga grupi radial drejt shtetit hebre, dhe sulmet ajrore të Izraelit në territorin palestinez. “Tani, bomba po bien çdo dhjetë minuta në jug të Rripit te Gazës. Sulmet më të ashpra që nga fillimi i luftës”, thotë Unicef. Irani i është rikthyer paralajmërimeve se nëse Izraeli nuk ndalet, lufta do të përhapet në rajon. Izraeli është zotuar se do ta shtypë Hamasin në shenjë hakmarrjeje për sulmet e 7 tetorit që vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, sipas autoriteteve izraelite.

Rreth 240 të tjerë, mes tyre fëmijë të vegjël dhe persona të moshuar, u morën peng gjatë sulmeve dhe u dërguan në Gazë. 80 prej tyre u liruan në një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari, me mbështetjen e Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara, në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi njoftoi se bilanci i viktimave në Gaza që nga fillimi i luftës tani shënon mbi15.500 të vrarë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë.


Top Channel

You may also like