Izraeli ashpërson bombardimet në Gaza

by admin
Spread the love

Ushtria e Izraelit i ka ashpërsuar bombardimet në jug të Rripit të Gazës të mërkurën, një ditë pas njërës prej ditëve më vdekjeprurëse për palestinezët qëkur nisi konflikti, pavarësisht thirrjeve të liderëve botërorë për ndaljen e luftimeve për ta mundësuar futjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po u prijnë thirrjeve ndërkombëtare për një ndërprerje në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, në mënyrë që të lejohet dërgimi i ndihmave në Gazë, ku palestinezët po jetojnë në kushte të tmerrshme.

Mbi 700 palestinezë, përfshirë 305 fëmijë, u vranë të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi. Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, ky është numri më i lartë i të vrarëve brenda një dite qëkur filluan luftimet tri javë më parë.

Izraeli i nisi bombardimet në Gazë më 7 tetor, pasi militantët e Hamasit i sulmuan qytetet e Izraelit jugor duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, biseduan në telefon të martën dhe u pajtuan për një diplomaci më të gjerë “për ta ruajtur stabilitetin në rajon dhe për ta parandaluar përhapjen e konfliktit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Përleshje vdekjeprurës shpërthyen mes Ushtrisë së Izraelit dhe palestinezëve në Bregun e uzurpuar Perëndimor. Po ashtu, luftimet u intensifikuan mes Izraelit dhe grupit të armatosur libanez, Hezbollah, përgjatë kufirit Izrael-Liban.

Irani i mbështet Hamasin dhe Hezbollahun, si dhe e ka paralajmëruar Izraelin ta ndalë luftën e ashpër në Gazë.

Ushtria e Izraelit tha se gjatë natës pati të shtëna ndaj forcave të saj nga një grup palestinez në Bregun Perëndimor, të cilit iu përgjigj me sulm me dron. Zyrtarët palestinezë thanë se tre palestinezë u vranë.

Më shumë se 100 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori si pasojë e përleshjeve me forcat izraelite, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Ministria palestineze në Rripin e Gazës së udhëhequr nga Hamasi tha se së paku 5.791 njerëz janë vrarë nga bombardimet izraelite në enklavë që nga 7 tetor, përfshirë 2.360 fëmijë./ REL


Top Channel

You may also like