Italia në zi nga tragjedia në Venecia – Shqip

by admin
Spread the love

E gjithë Italia është zhytur në zi pas tragjedisë së paimagjinueshme në Venecia, ku 21 persona humbën jetën kur autobusi me të cilin udhëtonin ra nga një urë duke përfunduar mbi shinat e trenave elektrikë.

Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur drejtuesi i autobusit, për arsye ende të panjohura, humbi kontrollin e mjetit dhe ra nga një mbikalim mbi kabllot e hekurudhës elektrike nën urë. Menjëherë autobusi është përfshirë nga flakët si pasojë e të cilit 21 persona kanë humbur jetën tragjikisht dhe 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë, katër prej të cilëve janë shtruar në spital në gjendje të rëndë.

 

Sipas gazetës italiane Il Gazzettino, autobusi po transportonte turistë ukrainas, gjermanë, kroatë dhe francezë në një kamping pranë Venecias.

Shoferi, sipas mediave italiane, ishte një italian, 40 vjeç, me shtatë vite përvojë profesionale dhe mësohet se ka tentuar të kontrollojë situatën, por nuk ka mundur të shmangë rënien e autobusit.

Zjarrfikësit dhe shërbimet e ndihmës së parë kanë mbërritur menjëherë në zonë. Mes të plagosurve janë të paktën dy fëmijë.

“Pashë tym kudo dhe dëgjova njerëzit që bërtisnin për ndihmë”, tha një dëshmitar okular i tragjedisë së autobusit të Venecias.

Sipas ministrit të Brendshëm italian Matteo Piadendozzi, autobusi kishte një motor me gaz natyror dhe distanca që ndan urën nga hekurudha ku ra autobusi ishte rreth tridhjetë metra.

Kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, shpalli të mërkurën ditë zie në qytetin e tij.

“Është një skenë apokaliptike. Unë kam mbetur pa fjalë,” postoi ai në X.

Autoritetet kanë nisur tashmë një hetim për të përcaktuar rrethanat në të cilat autobusi ra nga ura dhe përfundoi pranë linjës hekurudhore. Automjeti ka marrë flakë dhe shumë pasagjerë që kanë humbur jetën mësohet se janë djegur.

Në orët e para ka pasur edhe një teori që para rrëshqitjes fatale ka shpërthyer një zjarr i vogël në autobus, i cili më pas është hedhur poshtë nga deklaratat e pasagjerëve pas aksidentit të mbledhura nga zjarrfikësit. Analiza e pamjeve nga kamerat e vëzhgimit dhe kamerat e brendshme të autobusëve do të jenë kyçe në hetim, shkruan Corriere della Sera.

Edhe pas nxjerrjes së trupave, zjarrfikësit nuk mundën ta largonin mjetin për disa orë pasi rreziku për një zjarr të ri ishte ende i lartë. Mbetjet e autobusit u hoqën vetëm para agimit të së mërkurës.

Sipas ministrit të Brendshëm Matteo Piantedosi, “faktori rëndues ishte metani (në automjet), ndaj zjarri u përhap me shpejtësi,” i tha ai kanalit të lajmeve të televizionit publik Rai1.

I pyetur për shkakun e aksidentit, zëvendëskryeministri Matteo Salvini, i cili është edhe ministër i Transporteve, përmendi në kanalin Rete4 “hipotezën se shoferi u sëmur”.

Ky është aksidenti më i rëndë trafiku në historinë e Venecias. /tesheshi.com/

You may also like