I pari në histori me 1002 pikë, Alegri: Nuk ka një problem “Kieza”

by admin
Spread the love

Më në fund, tabuja e 1000 pikëve është thyer dhe Masimiliano Alegri feston rekordin absolut në historinë e Serisë A, si i vetmi që ka kaluar këtë numër jubilar (1002 pikë saktësisht), me një fitore për infarkt të Juventusit ndaj Frozinones. Sërish nevojitej një sforco në sekondat e fundit për të dalë me tri pikët, por kjo tregon se reagimi i fortë pas 4 ndeshjesh pa fitore ka ardhur dhe tani shpresohet që kriza të ketë përfunduar.

“Ishte një ndeshje në të cilën pësuam sërish dy gola më shumë se të evitueshëm, në njërin prej të cilëve mbrojtëm shumë keq, duke lejuar një kundërsulm që mund ta kishim ndalur shumë lehtë. Nëse nuk ke zgjuarsinë për të ndalur topin, atëherë do të pësosh 6 gola në pjesën e parë në 7 ndeshjet e fundit siç na ka ndodhur neve. Gjithsesi, e rëndësishme është që kemi ndalur hemorragjinë e humbjeve dhe për t’u rikthyer te fitorja na u desh shumë punë, ndonëse nëse rikthehemi të bëjmë ato që bënim deri përpara Empolit, nuk do të jetë aspak e vështirë për të ruajtur zonën Champions, apo edhe vendin e dytë. Pas një pjese të parë kur repartet ishin shumë të ndara, në të dytën ishim agresivë aq sa duhet në momentin në të cilin ata ranë fizikisht”.

Lidhur me dëmtimet e Rabiosë e MeKenit, në pritje të Napolit, trajneri i Juventusit shton. “Të presim javën dhe të shohim sesi do të jenë, ndonëse do të më vijë keq, nëse nuk do i kem në dispozicion. Gjithsesi, në Napoli do të shkojmë me skuadrën e duhur, pasi kemi me çfarë t’i zëvendësojmë. Vlahoviç dopietë? Dushan është në rritje progresive dhe po mëson që të menaxhojë veten. Disa kohë më parë ishte nervoz dhe jetonte me makthin e golit, ndërsa tani është më i ekuilibruar dhe kjo tregon pse po shënon.

Kieza u vërshëllye? Nuk ekziston absolutisht një problem ‘Kieza’. Federiko kthehet nga një periudhë që ka anashkaluar shumë stërvitje, por është vënë gjithmonë në dispozicion. Duhet thjesht që të qëndrojë i qetë dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për fundin e kampionatit”.

Në fund, lidhur për të ardhmen e tij në Torino, Masimiliano Alegri shton: “E falënderoj drejtorin Xhuntoli për fjalët e tij dhe jam i lumtur këtu. Çdo ditë punoj me klubin dhe jemi në sintoni për gjithçka. Duhet të mendojmë për të tashmen, pasi Champions-in nuk e kemi vulosur ende matematikisht. Unë kam një kontratë deri në vitin 2025 dhe fakti se kam 10 vite që stërvis këtu më bën shumë krenar. Madje, jam i lumtur nëse qëndroj edhe në vazhdim, por në fillim të arrijmë Champions-in, pasi qoftë në aspektin sportiv ashtu sikurse në atë ekonomik është një vlerë e shtuar dhe më pas do të bisedojmë gjërat e tjera”, përfundoi Alegri.

PANORAMASPORT.AL

You may also like