FOKUS – Sulmet izraelite vdekjeprurëse godasin Rafahun

by admin
Spread the love

KAJRO, 29 prill /ATSH-DPA/- Të paktën 27 palestinezë u vranë në sulmet e reja izraelite në qytetin Rafah në Rripin jugor të Gazës, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi, ndërsa përpjekjet diplomatike u intensifikuan me bisedimet në Kajro dhe Riad.

Autoritetet thanë se në ndërtesat e banimit në qytetin kufitar u vranë 20 persona në sulme të ndryshme gjatë natës.

Shtatë anëtarë të një familjeje në Rafah gjithashtu thuhet se u vranë në një sulm të veçantë sot në mëngjes.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se nuk mund të komentonte pa koordinatat e sakta të incidenteve.

Izraeli është zotuar prej disa muajsh të nisë një ofensivë në Rafah për të eliminuar bastionet e mbetura të grupit militant palestinez Hamas.

Aleatët e Izraelit kanë bërë vazhdimisht thirrje për vetëpërmbajtje, pasi qindra mijëra civilë palestinezë të zhvendosur janë strehuar në qytet.

Operacioni i planifikuar ushtarak ende mund të vonohet, pasi ka patur disa lëvizje në negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, në të cilat Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po veprojnë si ndërmjetës.

Një delegacion prej tre anëtarësh i Hamasit mbërriti sot në Kajro për të zhvilluar negociatat për lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Faqja izraelite e lajmeve “ynet” raportoi se propozimi parashikon lirimin e 33 pengjeve në këmbim të disa qindra të burgosurve palestinezë, ku përfshihen gra, të moshuari, të plagosur dhe “të dëmtuarit mendorë”.

Duke cituar një përfaqësues të lartë të qeverisë izraelite, “ynet” raportoi se kohëzgjatja e një armëpushimi të njëkohshëm do të varej nga numri i pengjeve të liruara.

“Hamasi kërkon lirimin e 50 të burgosurve për çdo ushtar dhe 30 të burgosurve për çdo civil”, sipas gazetës.

Armëpushimi i fundit ishte në nëntor, ku u liruan më shumë se 100 pengje.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like