Hoti: E papranueshme mungesa e transparencës për dialogun, qeveria e ka obligim të raportojë në kuvend

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është e papranueshme mungesa e transparencës së qeverisë në lidhje me dialogun, pasi, sipas tij, ajo është e obliguar të raportojë në kuvend për çdo zhvillim.

“Është e papranueshme mungesa e transparencës lidhur me dialogun. Qeveria, si bartëse e procesit, e ka obligim kushtetues të raportojë në kuvend për zhvillimet e deritashme”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Hotit, janë arritur disa marrëveshje teknike, si për energjinë, për targat e për dokumentet e udhëtimit, por askush nuk ka parë dokument të nënshkruar.

“Është pranuar nga qeveria propozimi franko-gjerman dhe janë dërguar komente. Por nuk është informuar kuvendi dhe publiku se: (1) Cila është përmbajtja e plotë e atij propozimi? (2) Çfarë komentesh ka dërguar qeveria? (3) Cili ka qenë reagimi i ndërmjetësve lidhur me komentet e dërguara dhe (4) sa janë reflektuar ato në draftin që është pranuar së fundmi nga qeveria”, ka shtuar Hoti.

Hoti tha se përveç kuvendit, është e domosdoshme të informohet edhe publiku përmes një fushate informuese dhe tryezave të diskutimit me shoqërinë civile dhe komunitetin akademik.

“Transparenca ndihmon në ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe politik për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, e cila duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e të gjithë deputetëve”, ka përfunduar Hoti.

You may also like