Haraçinës i’u lëshua rryma, por EVN mori garanca se do t’i paguhen faturat dhe nuk i dëmtohen orëmatësit

by admin
Spread the love

Haraçinës iu lëshua rryma, por EVN ka marrë premtim se në të ardhmen do të paguhen rregullisht faturat dhe nuk do të vidhen apo manipulohen orëmatësit.

Kjo u arrit pas një takimj dy orësh në ndërtesën e Komunës së Haraçinës, ku përveç kryetarit Ridvan Ibraimi, ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe menaxheri i Elektroshpërndarjes, Sasho Saltirovski.

Sipas Bekteshit, vjedhjet e energjisë elektrike, përkatësisht humbjet në sistem ka pothuajse në të gjitha komunat në mbarë vendin dhe nuk ka nevojë që Haraçina të jetë problemi dhe burimi kryesor i vjedhjeve.

Ai ka theksuar se humbjet apo vjedhjet e energjisë elektrike njihen si shpenzim me rastin e llogaritjes së çmimit të energjisë elektrike që paguajnë të gjithë qytetarët.

Si garanci se situata nuk do të përsëritet dhe se do të zvogëlohen humbjet, pra vjedhjet e energjisë elektrike, ai ka përmendur institucionet dhe shërbimet inspektuese, të cilat është dashur të bëjnë punën e tyre dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës, pra vjedhjet.

Për EVN-në, është thelbësore që ekipet në terren të kenë qasje të sigurt dhe që pajisjet të mos shkatërrohen.

Sipas Saltirovskit, pas garancisë së djeshme të ministrit Bekteshi, ekipet e EVN-së kanë dalë në terren dhe kanë sanuar defektin në linjën e tensionit të mesëm që ka shkaktuar ndërprerjen treditore të furnizimit me energji elektrike në Haraçinë.

You may also like