HAPËSIRË – ”Odysseus” anija e parë private kozmike që ulet në Hënë

by admin
Spread the love

LONDËR, 23 shkurt /ATSH-DPA/ – Një anije e ndërtuar nga një kompani amerikane e fluturimeve hapësinore është bërë anija e parë kozmike në pronësi private që u ul në Hënë.

”Nova-C Odysseus” i Intuitive Machines u ul në rajonin e polit jugor të Hënës në orën 23:23 pasdite (23:23 GMT).

Ky moment shënoi gjithashtu uljen e parë të SHBA-së në Hënë që nga misioni përfundimtar i programit ”Apollo”, ”Apollo 17”, më shumë se 50 vjet më parë.

Lajmi u konfirmua nga shefi ekzekutiv i Intuitive Machine, Steve Altemus, i cili tha se ”jemi në sipërfaqe dhe po transmetojmë. Mirë se erdhe në Hënë!”.

Anija kozmike u nis javën e kaluar nga Florida mbi një raketë ”Falcon 9” të bërë nga kompania ”SpaceX” e Elon Musk.

”Odysseus” është një cilindër gjashtëkëndor rreth katër metra i gjatë dhe 1,57 metra i gjerë dhe peshon 675 kilogramë.

Anija u ul në Malapert A, një krater 186 milje (300 kilometra) nga poli jugor i Hënës.

Poli mendohet se përmban akull, i cili do të ishte një burim i vlefshëm për eksplorimin e ardhshëm njerëzor.

Në bord janë 12 ngarkesa, përfshirë një instrument të NASA-s të njohur si Scalpss (Stereo Cameras for Lunar Plume-Surface Studies).

Ai mban një grup prej 125 skulpturash të vogla, të quajtura Fazat e Hënës, të krijuara nga artisti amerikan, Jeff Koons.

Deri më tani, uljet e kontrolluara në Hënë janë kryer vetëm nga agjencitë qeveritare, duke përfshirë SHBA-në, Bashkimin Sovjetik, Kinën, Indinë dhe Japoninë.

Një mision i dytë Intuitive Machines është planifikuar të ngrihet muajin e ardhshëm, me synimin për të shpuar burime në polin jugor të Hënës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like