GJERMANI – Shërbimet sekrete: Rritje e ndjeshme e ekstremit të djathtë

by admin
Spread the love

BERLIN, 20 qershor /ATSH-DPA/ – Ekstremizmi i krahut të djathtë ka qenë në rritje në Gjermani, sipas raportit vjetor të shërbimeve sekrete të paraqitur sot nga ministrja e Brendshme, Nancy Faeser dhe kreu i shërbimeve të brendshme, Thomas Haldenwang, në Berlin.

Sipas raportit, në 2022, numri i personave të klasifikuar si pjesë e spektrit ekstremist të krahut të djathtë u rrit me rreth 14,5% në 38 800, krahasuar me një vit më parë.

Një nga arsyet për rritjen e mprehtë është se shërbimet sekrete përfshinë për herë të parë anëtarë të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Partia u dyshua si ekstremiste e krahut të djathtë nga shërbimi sekret vendas, gjë që u konfirmua nga një gjykatë e Këlnit.

“Në funksion të heterogjenitetit që vazhdon të ekzistojë brenda partisë përsa i përket përmbajtjes, megjithatë, jo të gjithë anëtarët e partisë mund të konsiderohen si mbështetës të rrymave ekstremiste”, thuhet në raport.

Shërbimet sekrete vlerësuan se 10 200 anëtarë të AfD-së dhe krahut rinor të saj, “Alternativa e Re për Gjermaninë” (JA), mund të kategorizohen si pjesë e lëvizjes ekstremiste.

“Ne po vërejmë se kufijtë brenda kategorive po bëhen të paqarta dhe po krijohen skena të përziera”, tha Haldenwang duke shtuar se kërcënimi nga terrorizmi islamik mbetet i lartë.

Raporti përmban gjithashtu një paralajmërim urgjent për Kinën.

Shërbimet sekrete aktualisht e konsiderojnë Republikën Popullore si kërcënimin më të madh përsa i përket spiunazhit ekonomik dhe shkencor, si dhe investimeve të huaja direkte në Gjermani.

Në lidhje me Kinën, komisioni parlamentar i kontrollit të Dhomës së Ulët të parlamentit gjerman, Bundestag, kërkoi rregulla më të rrepta në maj, për punësimin e anëtarëve të shërbimit publik me njohuri të sigurisë jashtë vendit.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like