GJERMANI – Ekspertët: Lufta sjell rrezik të konsiderueshëm recesioni

by admin
Spread the love

BERLIN, 30 mars /ATSH-DPA/ – Këshilltarët ekonomikë të qeverisë gjermane shohin një rrezik të konsiderueshëm recesioni si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, sipas parashikimit të tyre të fundit ekonomik.

”Këshilli i Ekspertëve Ekonomikë pret që PBB-ja rritet me 1,8% në 2022 dhe me 3,6% në 2023, por perspektiva ishte subjekt i pasigurisë shumë të lartë”, tha ky këshill në një njoftim për shtyp.

”Për shkak të çmimeve të larta të energjisë, inflacioni pritet të rritet në 6,1% këtë vit dhe të ulet në 3,4% vitin e ardhshëm”, tha paneli i ekspertëve.

“Lufta ka përkeqësuar ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit që tashmë ishin të tendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit”, tha anëtari i këshillit, Achim Truger.

”Në të njëjtën kohë, edhe një herë çmimet në rritje për gazin natyror dhe naftën bruto po prekin ndjeshëm kompanitë dhe konsumin privat”, tha ai.

Pasiguria në lidhje me furnizimet me energji nga Rusia – nga e cila Gjermania është një blerës kryesor – nënkuptonte se situata mund të kthehej shumë më keq se sa ishte parashikuar.

“Gjermania është shumë e varur nga furnizimet ruse të energjisë. Një pezullim i këtyre furnizimeve sjell rrezikun që ekonomia gjermane të rrëshqasë në një recesion me norma inflacioni dukshëm më të larta”, tha anëtarja e këshillit, Monika Schnitzer.

”Pandemia e koronavirusit vazhdon të përbëjë rrezik për rritjen”, thuhet në raport.

Këshilli është një organ i pavarur i mandatuar për të ofruar një pikëpamje të paanshme eksperte për qeverinë në formën e vlerësimeve periodike të zhvillimeve makroekonomike./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like