Gazetarja e pyet Sveçlën për punësimin e motrës së tij, ai ia kthen që po merret me “budallallëqe”

by admin
Spread the love

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla është pyetur për raportimet se motra e tij është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë në konferencën e jashtëzakonshme për media që po mbahet lidhur me sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Sveçla e ka cilësuar “budallallëk”, pyetjen e gazetares lidhur me raportimet për punësimet e motrës së tij.

“Para disa ditësh është raportuar në media se motra juaj Magbule Hyseni është punësuar në Ministrinë e Bujqësisë cili është komenti juaj duke marrë parasysh se sa keni qenë në opozitë keni qenë zëri më kritik për nepotizëm”, e ka pyetur gazetarja ministrin Sveçla.

“Ne po flasim për një sulm terrorist e ju mirreni me budallallëqe të këtilla”, është përgjigjur ministri i Brendshëm.

Gazetarja ia ka kthyer se s’mund të quhet budallallëk pyetja që e parashtroi.

“Nuk mund të quhet budallallëk kjo pyetje kur ju dhe partia juaj keni qenë zëri më kritik në opozitë për punësimet familjare”, tha gazetarja.

Ndërkaq, Sveçla tha se në konferencë e jashtëzakonshme që është thirrur do të flasin vetëm për sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri.

“Të nderuar media unë veç se ju thashë që është një konferencë e jashtëzakonshme që ka të bëjë me një varg sulmesh terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe do të flasim vetëm për këtë”, tha ai.

You may also like