Frrok Çupi: Vetingu në politikë do godasë të parin Berishën, posedon pasuri të jashtëzakonshme

by admin
Spread the love

Analisti Frrok Çupi ka komentuar propozimin e Partisë Demokratike për të futur politikën në veting, ndërsa ka zbuluar arsyet se përse ish-kryeministri Sali Berisha është kundër kësaj nisme. Duke folur në një studio televizive, analisti Çupi shprehet se vetingu në politikë do godasë të parin ish-kryeministri Berisha, ndërkohë që e ka akuzuar këtë të fundit se posedon pasuri të jashtëzakonshme. Madje, zoti Çupi ka paralajmëruar se fatin e Berishës do të kenë edhe ata që i qëndrojnë pas, referuar këtu mbështetjes për “Foltoren”. Sipas tij, ish-lideri demokrat është një politikan i korruptuar.

“Sali Berisha është i tmerruar nga propozimi i Lulzim Bashës për të futur politikën në veting, pasi e di që do të kontrollohet dhe do t’i zbulohet pasuria marramendëse që ka. Po ashtu, Basha përmes vetingut të propozuar kërkon që të kontrollojë edhe zinxhirin dhe njerëzit që fshihen pas Berishës dhe që po e mbështesin atë. Këta janë një zinxhir të korruptuarish dhe nëse bie njëri prej tyre, pastaj do të bien të gjithë. Kjo tregohet edhe nga fakti që Berishës po i shkojnë në foltore dhe po i mbushin sallat, pasi po investohen paratë e korrupsionit dhe duan kaos. Pra, ata kanë frikë nga vetingu në politikë”, deklaroi ai.

Më tej analisti Frrok Çupi e cilësoi propozimin e Partisë Demokratike për veting në politikë si një nismë që synon krijimin e një shteti informal. Sipas Çupit, kjo nismë synon të krijojë 3 shtete, si shtetin e Bashës, shtetin e Berishës dhe shtetin e Ramës. Megjithatë, analisti Çupi shtoi se ish-kryeministri Berisha është tashmë drejt grahmës së fundit, pasi ai ka vdekur politikisht që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën person “non grata”.

“Kjo nuk synon formimin e shtetit si nismë, është si një ndërtim pa leje, kemi pasur iniciativa që kemi deformuar shtetin, e kjo na ka çuar në kriza të mëdha. Na çon në deflamacione të mëdha. Po dëgjoj zëra se Basha kërkon të ndëshkojë Berishën, por për mua nuk qëndron, pasi Berisha nuk ekziston, ka vdekur politikisht me vendimin e Amerikës. Zëra të tjerë, Berisha po e kundërshton se ka frikë se hetojnë për të dhe njerëzit e tij. Atë po e mbështesin njerëzit e korruptuar, një zinxhir i të korruptuarve. E ndaj po bëjmë një luftë shumë të madhe. Lufta e Bashës është e paprinciptë”, u shpreh ai.

Më herët gjatë një interviste për gazetën “SOT”, analisti Çupi e cilësoi ish-kryeministrin Sali Berisha si një përbindësh të korrupsionit.

“Sa është i korruptuar Berisha? Për nga volumi i pasurisë së grabitur publikut, do ta shikojmë gjatë rrugës kur do t’i konfiskohen pasuritë: Toka, apartamente, pallate, vila, dollarë, lek ose euro, metale të çmuara, bizhuteri. Një gjë di, që Berisha nuk lë gjë e vlerë pasurore që të bjerë për dhe- siç thuhet në gjuhën e përditshme “përdhe”. Ai është fantastik për të marrë që nga 100 euro e deri te qilimi i zyrës së presidentit. Por ta kufizosh përcaktimin “i korruptuar” ndaj Berishës vetëm pse ai ka grabitur zyrtarisht pasurinë publike dhe ka larë para, kjo është minore. Sali Berisha është i korruptuar përbindësh, mbi të gjitha se shkatërroi shtetin, minoi demokracinë që është po shteti, dhunoi të drejtën e njeriut, kreu krim kundër njerëzimit”, nënvizoi analisti Frrok Çupi.

You may also like