FOKUS – SHBA: Nuk mbështesim ofensivën e paplanifikuar izraelite të Rafahut

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 shkurt /ATSH/ – SHBA paralajmëroi Izraelin duke thënë se ”organizimi i një ofensive ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa planifikimin e duhur do të ishte një katastrofë”, sipas BBC.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të mbështeste planet për ndonjë operacion të madh në Rafah pa marrë në konsideratë refugjatët që ndodhen atje.

Komentet vijnë disa ditë pasi udhëheqësi izraelit tha se ushtrisë i ishte thënë të përgatitej për të operuar në Rafah.

Më shumë se gjysma e banorëve të Gazës tani jetojnë në qytetin në kufi me Egjiptin.

Izraeli bombardoi pjesë të Rafahut nga ajri dje në mëngjes dhe tanket izraelite thuhet gjithashtu se hapën zjarr.

Pjesa më e madhe e Gazës veriore dhe qendrore është kthyer në gërmadha nga bombardimet e vazhdueshme izraelite që nga fillimi i luftës më 7 tetor.

Duke folur dje në mbrëmje, dhe pa iu referuar Rafahut, presidenti i SHBA, Joe Biden tha se veprimet e Izraelit në Gaza kishin qenë “të tepruara”.

Më herët, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se ushtria izraelite kishte një “detyrim të veçantë ndërsa kryen operacione atje ose kudo tjetër për t’u siguruar që ata janë duke faktorizuar mbrojtjen e jetëve të pafajshme”.

“Operacionet ushtarake tani do të ishin një katastrofë për ata njerëz dhe nuk është diçka që ne do ta mbështesim”, tha ai duke shtuar se SHBA nuk kishte parë asgjë që të sugjeronte se Izraeli do të nisë një operacion të madh në Rafah.

Edhe zëvendëszëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, u bëri jehonë komenteve të Kirbyt duke thënë se ”SHBA nuk do të mbështesë ndërmarrjen e diçkaje të tillë pa një planifikim serioz dhe të besueshëm”.

Duke folur në qytetin izraelit të Tel Avivit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se ”çdo operacion ushtarak që Izraeli ndërmerr duhet të vendosë civilët në radhë të parë… dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Rafahut”.

Është e rrallë që SHBA, një aleat kyç dhe mbështetës ushtarak i Izraelit, të flasë për ndonjë fazë të ardhshme të ofensivës ushtarake të vendit në Gaza – por ky ishte një paralajmërim i qartë.

Uashingtoni dërgon rreth 3,8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin çdo vit duke e bërë vendin përfituesin më të madh në botë të një financimi të tillë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like