FOKUS – Maariv: 45 % e izraelitëve preferojnë Benny Gantzin si kryeministër, Netanyahu regjistron rënie

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 30 mars /ATSH-AA/ – Ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës, popullariteti i kryeministrit Benjamin Netanyahu vazhdon të bjerë, ku i preferuari i izraelianëve mbetet Benny Gantz, aktualisht anëtar i Kabinetit të Luftës.

Sipas sondazhit të publikuar nga gazeta izraelite Maariv, 45 për qind e izraelitëve preferojnë Gantzin si kryeministër, ndërsa vetëm 38 për qind besojnë se Netanyahu është i përshtatshëm për postin e tij.

Sondazhi zbulon një rënie të vazhdueshme të popullaritetit të Partisë Likud, të udhëhequr nga kryeministri Netanyahu, ngjashëm me sondazhet e mëparshme të kryera pas 7 tetorit, data kur filloi lufta shkatërruese në Gaza.

Sipas sondazhit, Partia e Unitetit Kombëtar do të siguronte 33 vende në parlamentin izraelit (Knesset) me gjithsej 120 vende, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Aktualisht, partia e udhëhequr nga Gantz ka 12 vende në parlament.

Krahasuar me Partinë e Unitetit Kombëtar, sipas sondazhit, Partia Likud do të siguronte 19 vende nga 32 që ka aktualisht.

Partia opozitare Shpresa e Re e udhëhequr nga Gideon Sa’ar, e cila u tërhoq nga Partia e Unitetit Kombëtar, do të fitonte katër vende.

Ndërkohë, Partia Sioniste Fetare e kryesuar nga ministri i Financave, Bezalel Smotrich, nuk do të arrinte të kalojë pragun elektoral.

Sondazhi gjithashtu tregoi se grupi që mbështeste Netanyahun do të fitonte 46 vende, ndërsa grupi kundër tij do të fitonte 64 vende.

Aleanca midis partive arabe që refuzon të dy blloqet, sipas sondazhit, do të siguronte 10 vende.

Për të formuar një qeveri në Izrael nevojiten të paktën 61 vende në Knesset. Ky sondazh sugjeron se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, Netanyahu nuk do të mund të formonte një qeveri.

Duke marrë parasysh hezitimin e Netanyahut për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, nuk ka asnjë perspektivë të afërt për një votim në Izrael.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 izraelitë.

Të paktën 32.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza, ndërkohë në enklavë është shkaktuar gjithashtu një shkatërrim masiv, zhvendosje e brendshme dhe kushte të urisë.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like