FOKUS – Le Maire: Gjeopolitika rreziku kryesor ekonomik i botës

by admin
Spread the love

PARIS, 8 janar /ATSH-AFP/ – Rreziku i parë ekonomik në botë është ai gjeopolitik, tha sot ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire duke theksuar kthimin e luftës në botë dhe në territorin evropian.

Pothuajse dy vjet pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, Lindja e Mesme po sheh zonat e tensionit të shumëfishohen në kontekstin e luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

”Një zjarr në Lindjen e Mesme, pasiguri në rritje në trafikun e Detit të Kuq, një incident në ngushticën e Tajvanit do të vinte në pikëpyetje stabilitetin ndërkombëtar dhe do të kishte një ndikim të qëndrueshëm në tregtinë botërore”, paralajmëroi lideri duke paraqitur kërkesat e tij para aktorëve ekonomikë.

Që nga mesi i dhjetorit, shumica e kompanive të mëdha ndërkombëtare të transportit kanë vendosur të ridrejtojnë anijet e tyre për të shmangur kalimin përmes Kanalit të Suezit (përmes të cilit zakonisht kalon 12% e tregtisë botërore), për shkak të sulmeve nga rebelët Houthi në Detin e Kuq.

Kina, e cila pretendon Tajvanin si pjesë të territorit të saj, është zotuar se do ta marrë atë me forcë nëse është e nevojshme.

Këto sfida të reja pasojnë pandeminë Covid-19 dhe krizën inflacioniste të përkeqësuar nga pushtimi rus i Ukrainës, të cilat kanë ndërprerë thellësisht zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit në të gjithë botën.

“Për një kohë të gjatë, ne i kemi vënë theksin shumë përfitimeve të globalizimit”, pranoi drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Kristalina Georgieva, në një intervistë në nëntor me gazetën ”Le Monde”.

”Globalizimi nuk do të jetë më kurrë si më parë”, tha sot Bruno Le Maire duke kujtuar se ai është bërë kryesisht politik pasi ka qenë thjesht ekonomik.

”Si rezultat i gjithë këtyre trazirave dhe konfrontimit ekonomik në rritje midis SHBA dhe Kinës, tregtia globale pritet të rritet më pak se GDP-ja globale gjatë 10 viteve të ardhshme”, parashikoi në një studim i ”Boston Consulting Group” (BCG)./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like