Flakë gjigante përfshijnë ndërtesën më të lartë në kryeqytetin e Sudanit, ku konflikti anti-qeveritar hyn në muajin e gjashtë (fotot)

by admin
Spread the love

Ndërtesa më e njohur në kryeqytetin sudanez Khartoum u përfshi dje nga flakët teksa shtëllunga të mëdha tymi të zi ngriheshin prej saj.

Kulla 18-katëshe e Nile Petroleum Company shpërtheu papritur në flakë teksa në vend luftohet mizorisht mes ushtrisë së Sudanit dhe forcave paramilitare “Ndërhyrja e Shpejtë”.

Në pamjet e postuara në rrjet shihej tymi që ngrihej nga kulla e veshur me xham, që është një nga ndërtesat më të larta në kryeqytet.

Ndërkohë forcat paramilitare raportohej se kishin kryer sulme ndaj një baze të ushtrisë për ditën e dytë radhazi.

Nuk dihet sesi nisi zjarri djeshëm dhe as se nga vjen mbështetja për forcat paramilitare që janë të organizuara e financuara më së miri.

Dhuna në Sudan ka nisur prej prillit kur forcat paramilitare të drejtuara nga Mohamed Hamdan Dagalo, nisën sulmet ndaj ushtrisë.

Konflikti ka kthyer kryeqytetin në një zonë lufte teksa në periferi të Khartoum paramilitarët kanë marrë kontrollin e shtëpive të banorëve duke i kthyer në baza ushtarake, thonë aktivistët dhe grupet e të drejtave.

Në rajonin perëndimor të Darfur konflikti është kthyer në dhunë etnike, thonë burime nga OKB, sipas BBC.

Rreth 4,000 njerëz besohet se kanë humbur jetën deri tani, sipas shifrave të OKB.

Lufta ka nisur më 15 prill mes kreut të ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan dhe ish-zëvendësit të tij Mohamed Hamdan Daglo, raprotojnë mediat perëndimore./BBC/