Fiti: Është i nevojshëm forcimi novatorizmit, produktivitetit dhe aftësisë konkurruese për zhvillimin më të shpejtë të ekonomisë

by admin
Spread the love

Akademiku Taki Fiti theksoi në debatin publik në Komisionin parlamentar për çështje ekonomike se duhet të bëhen përpjekje të mëdha në novatoriëm, produktivitet dhe aftësi konkurruese në mënyrë që ekonomia të mund të zhvillohet më shpejt dhe në mënyrë më dinamike dhe të arrijmë rezultate më cilësore.

Ai në debatin në temën “Ekonomi inovative dhe konkurrente”, theksoi se novatorizmi, produktiviteti dhe aftësia konkurruese janë tre kategori komplekse ekonomike që janë të ndërvarura, të kushtëzuara mes vete dhe që kanë ndikim të fortë jo vetëm në dinamikën por edhe në cilësinë e rritjes dhe zhvillimit ekonomik.

Për fat të keq, siç theksoi ai, në të tria sferat, vendi përballet me probleme shumë serioze, e cilësia e dobët në këto aktivitete është para së gjithash rezultat i cilësisë së dobët të kapitalit njerëzor.

“Këtu kemi problem. Edhe këtu, problemet janë kryesisht të vendosura në fushën e dobësive që i vërejmë në të tre nivelet e arsimit formal – arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Këtu kemi probleme serioze. Vitet e fundit, kemi ngecje në të gjithë treguesit në të tre nivelet e arsimit formal. Sistemi i arsimit joformal funksionon keq, veçanërisht mungon ai që ne e quajmë sistemi i nxënies së përjetshme, i cili është shumë i rëndësishëm për të gjithë performancën e ekonomisë. Dhe faktori i dytë që ka ndikim të fortë në novatorizmin, produktivitetin dhe aftësinë konkurruese është kapaciteti i dobët i inovacionit. Ajo, nga ana tjetër, kushtëzohet nga një numër i madh i nën-faktorëve të tjerë. Nëse së pari keni konkurrencë të theksuar në shtëpi, do të duhet të inovoni nëse doni të mbijetoni në tregun vendor. Nëse inovoni, do të mund të depërtoni shumë më lehtë në tregun e huaj. Çështja tjetër është mungesa e politikës së mirëmenduar novatore. Më parë e quanim politikë industriale, ndërsa tani e quajmë politikë novatore. Kemi dy ose tre segmente të politikës së inovacionit. Këto janë zonat industriale – ZZHTI-të, ku kemi hyrje serioze të investimeve të huaja direkte, tha Fiti në debatin e sotëm publik “Ekonomia inovative dhe konkurruese” në kuadër të përgatitjes së Strategjisë kombëtare zhvillimore.

Ai thekson se nëse shikojmë nga viti 2016 e deri më sot, në fushën e novatorizmit ka pasur përmirësim në vend, i cili i referohet kryesisht rritjes së numrit të ndërmarrjeve që vendosin inovacione të produkteve, procese dhe inovacione organizative, marketing. Ai vuri në dukje se po rritet edhe numri i ndërmarrjeve inovative në shtetin tonë.

“Gjithashtu, sipas treguesit të pjesëmarrjes së popullsisë me arsim të lartë në popullsinë e përgjithshme, kemi rezultate të caktuara, edhe atë rritet pjesëmarrja e stafit të arsimit të lartë. Ka rezultate të caktuara në domenin e teknologjive që lidhen me mjedisin jetësor, para së gjithash me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Këtu ka ndikim të veçantë në këto përpjekje që bëhen për të rritur pjesëmarrjen e energjisë së ripërtërishme në konsumin e përgjithshëm final të energjisë në Republikën e Maqedonisë. Në sferat e tjera të inovacionit, ne qëndrojmë mjaft dobët, veçanërisht në alokimet për hulumtim dhe zhvillim të matura si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Alokimet e përgjithshme janë 0,3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Është një pjesëmarrje e vogël, e papërfillshme, margjinale. Mesatarja e Evropës lëviz drejt 2 për qind. Këtu, është një shqetësim i veçantë që sektori i biznesit, ndërmarrjet, kanë alokime shumë të vogla për hulumtim dhe zhvillim nëse shikohet si përqindje në produktin e brendshëm bruto. Këtu ne jemi prapa madje edhe pas vendeve që janë në nivelin tonë të zhvillimit. Kemi probleme edhe në edukimin e të punësuarve në ndërmarrjet dhe përgatitjen e tyre për përsosje profesionale, sendërtim gjatë përvetësimit të njohurive të reja. Maqedonia renditet si vend inovator në rritje, sipas Metodologjisë evropiane për vlerësimin e novatorizmit të përgjithshëm, rezultati është 46.3 për qind krahasuar me mesataren e BE-së. Pra, ne jemi nën 50 për qind për sa i përket asaj që është bërë në BE si tregues mesatar. Edhe më keq është se në këtë grup vend inovator në zhvillim qëndrojmë më së ulëti”, tha ai.

Akademiku theksoi se situata e produktivitetit të shtetit tonë është edhe më e keqe.

“Produktiviteti i matur me treguesit themelorë – produktiviteti për një të punësuar në raport me produktin e brendshëm bruto, produktiviteti sipas vlerës së shtuar për një të punësuar dhe i ashtuquajturi produktivitet i përgjithshëm faktorial për ekonomistët…Produktiviteti i përgjithshëm faktorial është kategori që sqaron kontributin e progresit teknologjik në teknologji dhe njohuri në kuptimin më të gjerë të rritjes së produktit të brendshëm bruto. Me këtë tregues, qëndrojmë shumë keq. Në kuptimin e asaj që nga viti 1994 e deri në vitin 2017, produktiviteti i përgjithshëm faktoriak ka kontribut negativ në dinamizmin e rritjes me një përjashtim të vogël në periudhën e viteve 2002-2008. Në produktivitetin për një të punësuar, vonesa prapa mesatares evropiane, e jo prapa vendeve me zhvilli të lartë, është ndërmjet 2,5 deri në 4 herë”, tha ai.

Fiti theksoi se qëndrojmë keq edhe në aftësinë konkurrese, ku sipas Forumit Ekonomik Botëror, Maqedonia me rezultat prej 56,6 pikësh renditet e 82-ta në mesin e 141 vendeve. Fiti tha se për një periudhë relativisht të gjatë kemi dinamikë më të shpejtë të rritjes në kushte kur produktiviteti i punës stagnon ose ulet. “Kjo ka implikime shumë negative, së pari në aftësinë konkurruese të ekonomisë dhe së dyti, është faktor që ushtron presion inflator në ekonomi. Ju e dini që këtë vit do të përfundojmë me normë mesatare inflacioni prej 9.1 për qind, sipas parashikimeve të fundit të Bankës Botërore dhe një rritje shumë të ulët prej 1.8 për qind”, tha ai.

Profesor Dr. Borçe Trenovski, si ekspert i përfshirë në procesin e përgatitjes së strategjisë kombëtare të zhvillimit, theksoi se nëse nuk bëjmë asgjë dhe e lëmë situatën të funksionojë si deri tani, nuk mund të presim që rritja jonë të jetë më e madhe se 2 për qind në 20 vitet e ardhshme.

“Çdo buxhet i ri që kalon në Kuvend, flasim për 4, 5, 6 për qind. Modeli tregon se ne nuk mund ta tejkalojmë atë nëse nuk bëjmë ndryshime më të rëndësishme. Pse është e rëndësishme ekonomia? Ky është aspekti i dytë. Nëse duam përparim të rëndësishëm për pesë deri në 10 vitet e para, zgjidhja e vetme është fusha e parë – ekonomi inovative dhe konkurrente. Nëse këtu i bëjmë modelet dhe politikat që i propozojmë, do të kemi rritje të madhe. Do të dyfishojmë të ardhurat për kokë banori edhe për 30 për qind nëse përfshihen ndryshimet në fushat tjera strategjike. Pse e them këtë? Në periudhën afatmesme, ekonomia do t’i japë forcën më të madhe rritjes së kësaj shoqërie dhe shtetit. Në planin afatgjatë, faktori kryesor është menaxhimi i së drejtës. Pa përmirësimin e qeverisjes së mirë në ekonominë tonë në planin afatgjatë, rritja do të inhibojë, respektivisht nuk mund të kalojë. Atëherë nuk mund t’ia falni vetes që nëse bëni këto ndryshime, rritja e produktit të brendshëm bruto në vit dyfishohet në 20 vitet e fundit. Kjo do të thotë gjysmën e produktit tonë të brendshëm për shkak të ndryshimeve të parealizuara strukturore e hamë vetë, mbetet, inhibon, na lustron”, tha ai.

Sipas deputetes së LSDM-së Marija Georgievska, strategjia kombëtare e zhvillimit duhet të jetë dokument strategjik që do të jetë përgjithësisht i pranueshëm për të gjithë në mënyrë që të jetë i suksesshëm në atë që është bërë.

“Në periudhën e kaluar ka pasur dokumente strategjike, brenda keni gjithçka të shkruar bukur, por shikoni realitetin shumë pak gjëra janë zbatuar nga ato strategji. Them në kuptimin si vijon. Në vitet e kaluara, përmes krijimit të politikave ekonomike, kemi parë shkurtpamësi të madhe për dekada të tëra. Pse po e them këtë? Sepse janë bërë përpjekje për të krijuar disa politika strategjike, por ato nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Cili ka qenë problemi? Kjo është çështja për të cilën, si ekspertë dhe profesorë, me siguri mund të keni përgjigje. Ajo që është shumë e rëndësishme është se duhet të ketë mbështetje të plotë shoqërore, që do të thotë konsensus nga të gjithë. Nuk ka ideologji. Ky duhet të jetë një dokument strategjik që do të jetë përgjithësisht i pranueshëm për të gjithë në mënyrë që të ketë sukses në atë që është bërë”, tha Georgievska.

Toni Jarevski, deputet i VMRO-DPMNE-së, thekson se nëse e shohim nga çfarëdo prizme, vendi për 20 vjet do të jetë “shtet pa rini, pa potencial për zhvillim dhe me kushte më të këqija politike dhe ekonomike.”

“Nevoja për një dokument të tillë është edhe më e theksuar. Të paktën, po ngecim ose po bëjmë hapa prapa në të gjitha segmentet. Duhet të shihen politikat e gabuara të Qeverisë. Përveç politikës, them se në situatën momentale në të cilën ndodhemi. Tre treguesit themelorë – produktiviteti, borxhi publik,

pjesëmarrja e keqe e shkencës në vetë zhvillimin dhe kushtet e këqija të biznesit janë ajo që rëndon jetën tonë të përditshme. Prej ku rezultojnë të njëjtit? Nga sundimi i dobët i së drejtës, papërgjegjësia dhe pandëshkueshmëria. Çfarë do të thotë se janë kushte në të cilat nuk kemi të ardhme. Sido që ta shohim, nga çdo pikëpamje, nën çdo prizëm, për 20 vjet ky do të jetë një vend pa rini, pa potencial për zhvillim dhe me kushte më të këqija dhe më të theksuara politike dhe ekonomike”, tha Jarevski.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në janar të vitit 2021 filloi procesin e hartimit të Strategjisë kombëtare të zhvillimit, që është dokument strategjik afatgjatë që, me një qasje gjithëpërfshirëse, analitike dhe pjesëmarrëse, do të prodhojë dokument zhvillimor apolitik, gjithëpërfshirës, afatgjatë, me përparësi të përcaktuara në interes të shoqërisë dhe shtetit. Përmes modeleve moderne dhe inovative të zhvillimit, të përshtatura për kontekstin e brendshëm dhe të bazuara në konsultim të gjerë dhe kuptimplotë me të gjithë palët e interesuara, ky dokument strategjik do të japë vizion të qartë të një të ardhmeje të planifikuar dhe të sigurt për të pasqyruar konsensusin ndërmjet brezave, gjinor, ndëretnik, ndërpartiak dhe afatgjatë mbi prioritetet e shtetit, në mënyrë që të sigurojë zhvillim gjithëpërfshirës, të gjelbër dhe të qëndrueshëm për të gjithë, e veçanërisht për kategoritë e rrezikuara të njerëzve.

Siç qëndron në arsyetimin në faqen e internetit të Parlamentit, Strategjia kombëtare e zhvillimit do të jetë dokument vizionar strategjik që do të përcaktojë rrugën e zhvillimit të vendit në 20 vitet e ardhshme përmes procesit të konsultimit të gjerë, përfshirjen e të gjithë faktorëve. Përpilohet me mbështetje në kuadër të projektit të zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe me mbështetjen financiare të Fondit të qeverisjes së mirë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministrisë së Financave të Republikës Sllovake.

MARKETING



You may also like