Federer – pensionohet – Bota Sot

by admin
Spread the love

Erdhi edhe lajmi që pjesa më e madhe e fansave të tenisit nuk do të kishin dashur të dëgjonin kurrë.

Roger Federer, kampioni zviceran që në këtë sport ka fituar gjithçka falë talentit të tij mbresëlënës, ka vendosur të tërhiqet përfundimisht.

41-vjeçari i lindur në Bazel deklaroi vetë se do të tërhiqet nga sporti, pas turneut “Laver Cup” që do të luhet muajin e ardhshëm në Londër. “Mesazhi i trupit tim së fundmi ka qenë i qartë”, tha Federer. “Kam luajtur më shumë se 1500 ndeshje në 24 vite. Tani duhet të pranoj se është koha ta mbyll karrierën time. Por i them tenisit, të dua dhe nuk do të të lë kurrë”.

Kohët e fundit, mosha dhe dëmtimet e shumta e kanë bërë të pamundur për kampionin të stërvitej siç duhet për të fituar edhe një herë një turne të Grand Slam, diçka që gjatë karrierës ka ndodhur për 20 herë, duke karakterizuar të paktën dy dekadat e fundit të këtij sporti së bashku me rivalët Nadal dhe Djokovic.

“Dua t’i jap vetes edhe pak shpresë se do t’i kthehem tenisit në një mënyrë apo një tjetër. Jam realist, e di sa e vështirë është që të bëj një tjetër operacion në moshën që jam unë, por dua të ndihem mirë fizikisht”, deklaroi Federer vitin e kaluar, por me sa duket ai e ka humbur betejën me kohën.

Një karrierë e paharrueshme

Në historinë e tenisit, vetëm Rafael Nadal (22) dhe Novak Djokovic (21) kanë fituar më shumë trofe Grand Slam – ku përfshihen Australian Open, Roland Garros, Wimbledon dhe US Open – se zvicerani.

Ai debutoi si profesionist në moshën 16-vjeçare në vitin 1998 dhe fitoi trofeun e parë Grand Slam në Wimbledon në vitin 2003. Në total, e ka fituar 8 herë turneun anglez.

Triumfi i fundit u shënua në vitin 2018 në Australian Open, kur Federer, në atë kohë 36 vjeç, u bë tenisti më i vjetër në moshë që fitonte një nga katër turnetë më të mëdhenj.

You may also like