Familja si hapësirë e lirisë

by admin
Spread the love
Ardian Muhaj

Familja është një laborator i mrekullueshëm social, ku njerëzit mësojnë se si të komunikojnë, të ndajnë, të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin konflikte. Këto marrëdhënie janë të rëndësishme jo vetëm brenda familjes, por edhe si modele për marrëdhëniet jashtë saj. Natyrisht që duhet theksuar se liria në kontekstin e familjes nuk do të thotë mungesë e rregullave ose përgjegjësive.

Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë

Në antikitet njerëzit që nuk kishin një familje të njohur ose që për arsye të ndryshme, si luftëra ose bastisje, e kishin humbur lidhjen dhe kontaktin me familjen, ishin kontingjent i prirë për t’u shndërruar në skllevër, pra për të mos qenë njerëz të lirë sipas përcaktimit dhe botëkuptimit të kohës. Nga ana tjetër, skllavi ose njeriu jo i lirë nuk kishte një familje sipas botëkuptimit të kohës dhe as sipas botëkuptimit të sotëm. Megjithëse, biologjikisht, secili skllav mund të kishte fëmijë, ai nuk kishte asnjë siguri ligjore mbi ta, sepse fëmijët e tij dhe ai ose ajo vetë mund të shiteshin, huazoheshin, dhuroheshin, këmbeheshin etj. Pra, diferenca mes lirisë dhe skllavërisë shpesh qëndronte tek e drejta për të gëzuar përkatësinë në familje.

Natyrisht që në botën e sotme skllevërit klasikë janë zëvendësuar nga makinat dhe tashmë skllavëria klasike nuk ekziston, por funksioni i familjes si guaskë mbrojtëse e lirisë së individit është thelbësore për vetë mbijetesën e individit në shoqëri. Në një kohë kur jeta moderne, përmes masivizimit dhe globalizmit, na bën të ndjehemi gjithnjë e më të vegjël, të parëndësishëm e të pafuqishëm, rëndësia e familjes si një hapësirë ku ndihemi të lirë dhe të mbështetur, bëhet edhe më e dukshme. Familja nuk është thjesht një njësi themelore shoqërore, por një oazë e vërtetë e lirisë, ku secili anëtar mund ta shprehë veten, emocionet dhe shqetësimet më të thella pa u shqetësuar për gjykimin e të tjerëve, pra pa frikën e gjykimit publik.

Në familje, ne ndihemi të lirë të jemi vetvetja. Kjo liri është thelbësore për zhvillimin e një ndjenje të fortë të vetëbesimit dhe vetëvlerësimit. Liria për të qenë vetvetja është një nga elementet më thelbësore dhe më të çmuara në dinamikën e zhvillimit të individit dhe maturimit të personalitetit. Kjo liri është thelbi i një mjedisi ku çdo anëtar ndihet i pranuar, i vlerësuar dhe i sigurt. Në një familje, liria për të qenë vetvetja fillon me pranimin dhe respektimin e individualitetit të çdo anëtari. Kur njerëzit ndihen të lirë të jenë vetvetja, ata janë më të gatshëm t’i ndajnë eksperiencat, të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të rriten si individë, gjë që ndihmon në krijimin e një ndjenje të fortë vetëbesimi dhe vetërespekti. Liria për të qenë vetvetja është një dhuratë e çmuar që e ofron familja për anëtarët e saj. Ajo krijon një mjedis ku rritet vetëbesimi, ku mbizotëron respekti për ndryshimet individuale dhe ku komunikimi i hapur është çelësi për marrëdhënie të shëndetshme. Kjo mbështetje është jetike në formimin e një individit të shëndetshëm emocionalisht, ku çdo anëtar ndihet i vlerësuar për atë që është, e jo për atë që pritet të jetë. Ky pranim i kushtëzuar krijon një ndjenjë të thellë të sigurisë dhe besimit.

Derisa familja ofron një mjedis mbështetës, ajo gjithashtu nxit pavarësinë dhe përgjegjësinë personale. Duke u lejuar anëtarëve të bëjnë zgjedhje të pavarura dhe të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre, ata zhvillojnë një sens të fortë të autonomisë dhe vetëdrejtimit. Kjo autonomi është thelbësore për zhvillimin e një ndjenje të lirisë personale dhe të qenit të aftë për të përballuar sfidat e jetës. Mbështetja nuk është vetëm financiare ose fizike, por gjithashtu edhe emocionale e morale. Në një mjedis mbështetës, anëtarët e familjes mësohen të përballen me sfidat e jetës me një qëndrim më pozitiv ndaj jetës dhe problemeve e sfidave që i sjell jeta natyrshëm. Kjo ndikon në formimin e individëve të shëndetshëm emocionalisht dhe të aftë për t’u përballuar me sfidat e jetës me besim dhe pavarësi.

Top of Form

Familja është gjithashtu një hapësirë sigurie ku anëtarët mund të mësojnë nga përvoja e anëtarëve të tjerë dhe njëkohësisht të mësojnë nga gabimet e tyre. Liria për të bërë gabime pa frikën e pasojave të rënda është një pjesë thelbësore e mësimit dhe rritjes personale. Ky aspekt i familjes është thelbësor për zhvillimin personal dhe intelektual të çdo individit. Një familje siguron një atmosferë që i pranon gabimet si pjesë të natyrshme të mësimit dhe rritjes.

Prindërit kanë një rol të rëndësishëm në ofrimin e udhëzimit dhe mbështetjes gjatë procesit të rritjes dhe aftësimit të fëmijëve të tyre. Duke i udhëzuar ata nëpër sfida, prindërit ndihmojnë në formimin e aftësive të tyre për të marrë vendime të mençura dhe të përgjegjshme, duke vendosur kufij të shëndetshëm për të nxitur rritjen personale të fëmijëve të tyre. Këta kufij sigurojnë që njohja, zhvillimi dhe eksplorimi të ndodhë në një mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Kjo është e rëndësishme për formimin e një individi të aftë për të marrë vendime të pavarura dhe për të përballuar sfidat e jetës.

Familjet janë gjithashtu vendi i parë i edukimit. Në një mjedis familjar, fëmijët mësojnë të pyesin, të kërkojnë dhe të sfidojnë ide, gjë që është themelore për zhvillimin e lirisë së mendimit. Edukimi dhe liria e mendimit janë themelore në formimin e individëve të aftë, të vetëdijshëm dhe të angazhuar në shoqëri. Mjedisi i shtëpisë duhet të jetë një vend ku mendimet dhe idetë shkëmbehen lirisht. Prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces, duke ofruar udhëzim, mbështetje dhe një mjedis ku debati i shëndetshëm dhe mësimi janë pjesë integrale e jetës së përditshme familjare.

Top of Form

Në një botë ku presioni shoqëror është i gjithëpranishëm, familja ofron një strehë nga këto pritshmëri. Liria nga presioni shoqëror në kontekstin e familjes përfshin mundësinë që anëtarët e saj t’i zhvillojnë dhe t’i shprehin idetë e tyre të ndryshme pa u ndikuar negativisht nga pritjet dhe normat shoqërore. Kjo liri është thelbësore për ta ruajtur autenticitetin dhe për të ndërtuar vetëbesim në një mjedis të mbështetshëm dhe të sigurt. Familjet që ofrojnë mbështetje të fortë emocionale krijojnë një rrjet sigurie për anëtarët e tyre. Kjo u ndihmon individëve që të qëndrojnë të fortë në përballje me presionin shoqëror. Ky edukim i ndihmon ata të bëjnë zgjedhje të informuara dhe të jenë më të rezistueshëm ndaj ndikimeve negative.

Liria në familje është natyrisht pjesë e lirisë ose autonomisë së vetë familjes. Kjo nënkupton që familjet duhet të kenë autonomi dhe liri për të marrë vendime rreth jetës së tyre, për aq kohë sa nuk i cenojnë të drejtat dhe mirëqenien e anëtarëve të tyre ose nuk i shkelin ligjet dhe normat përkatëse të shoqërisë më të gjerë. Ky koncept përfshin aftësinë e një familjeje për të bërë zgjedhje në lidhje me organizimin e jetës së tyre, edukimin e fëmijëve, besimet fetare, arsimin dhe aspektet e tjera të jetës në familje. Në shumicën e shoqërive në botë dhe në histori, liritë individuale dhe familjare mbrohen nga ligjet dhe kushtetutat, duke siguruar që individët dhe familjet ta kenë të drejtën e privatësisë dhe autonomisë personale. Kjo përfshin të drejtën për të marrë vendime brenda njësisë familjare pa ndërhyrje të paarsyeshme nga qeveria ose palët e jashtme.

Familja, si një hapësirë e lirisë, është thelbësore në formimin e individit. Kjo liri ndikon në zhvillimin e vetëbesimit, siguron një rrjet mbështetës për zhvillimi e mësim dhe mbron nga presioni i vazhdueshëm shoqëror. Mbase mund të duket paradoksale, por historia e shqiptarëve, të paktën përgjatë shekullit të fundit, mund të përmblidhet si një histori e familjes së qëndrueshme përballë historisë së shteteve pushtuese, të dhunshme ose të paqëndrueshme.

Në fillim të viteve të ’90-ta, Shqipëria, si shumë vende të tjera në Europën Lindore, kaloi përmes një periudhe të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike. Kjo periudhë shënoi jo vetëm rrëzimin e sistemit komunist, por edhe hapjen e vendit ndaj ndikimeve dhe modeleve të ndryshme. Këto ndryshime kanë pasur një impakt të thellë në strukturën dhe funksionimin e familjes shqiptare. Kjo hapje e shoqërisë shqiptare në Shqipëri i dha mundësi strukturës së shtypur dhe të kërcënuar familjare ta rigjejë lirinë dhe autonominë e saj.

Në regjimin totalitar enverist çështjet të cilat kishin qenë me shekuj, historikisht dhe botërisht çështje të brendshme familjare, u shndërruan në çështje që vendoseshin nga regjimi. Këto çështje, të cilat shteti totalitar ia kishte hequr vendimmarrjen familjes përfshinin mes shumë të tjerave edhe çështje si adresa e vendbanimit, cilësia dhe madhësia e banesës familjare, punësimi, shkollimi, madje deri edhe martesa, shijet, preferencat individuale e dieta ushqimore. Edhe sasia që një familje në tërësi dhe një individ në veçanti i konsumonte, vendosej jo nga familja ose nga individi, por nga vendimet e komiteteve të shumta partiake. Në këtë regjim totalitar jo vetëm që individi po depersonalizohej dhe familja po shkonte drejt humbjes së rolit të saj të plotë që e ka pasur historikisht, por ndërhyrja e dhunshme e regjimit shkonte deri edhe tek besimet dhe bindjet individuale. Regjimi totalitar enverist e konsideronte jo vetëm familjen si domen të vetin dhe individin si pronë të regjimit, por edhe ndërgjegjja e individit duhej t’i nënshtrohej vullnetit, formatit dhe modelimit të partisë.

Në kushtet e tronditjes së madhe që solli zhdukja e një presioni të tillë depersonalizues dhe antifamilje, familjet shqiptare iu përgjigjën shumë shpejt instinktit të mbijetesës dhe qëndrueshmërisë së kalitur e të sprovuar ndër shekuj, duke gjetur tek emigracioni një kompesim të shpejtë dhe praktik të përmbushjes së nevojave, të cilat një shtet i varfëruar deri në palcë nga totalitarizmi enverist dhe i tronditur nga themelet nga ndryshimi që pasoi, nuk arrinte t’i përballonte. Gjithë ky emigracion, praktikisht, ndodhte dhe niste si një përpjekje më se e drejtë dhe e justifikueshme, por në shumicën e rasteve dhe të shtrirjes jo në mënyrë të ligjshme. Deri në liberalizimin e vizave me vendet e BE-së emigracioni ka nënkuptuar që në planifikim e pikënisje një kalim të paligjshëm të kufirit. Në këtë proces, në mungesë të mbështetjes së plotë të shtetit dhe të pamundësisë së shtetit shqiptar për të siguruar marrëveshje për lëvizje të denjë, emigracioni ka qenë një çështje dhe zgjidhje familjare. Ky kontrast mes dinamizmit, rigjallërimit dhe rigjetjes së funksionit të shëndetshëm të familjes përballë defunksionalizimit, korruptimit dhe degradimit të shtetit është i dukshëm në krejt hapësirën shqiptare, por veçanërisht në Shqipëri, ku banesat, prona dhe shtëpitë familjare përngjasojnë gjithnjë e më shumë me ngrohtësinë, komoditetin dhe përkujdesjen e vendeve më të zhvilluara europiane, ndërkohë që hapësira publike, infrastruktura rrugore e urbane, shërbimet që i takojnë dhe i ka marrë përsipër shteti, vazhdojnë të mbeten në nivelin e vendeve më të pazhvilluara afrikane.

Natyrshëm, emigracioni ka ndikuar në strukturën familjare, duke shkaktuar shpeshherë ndarje familjare dhe duke ndryshuar mënyrën se si familjet mbijetojnë dhe ndërveprojnë. Në disa raste, kjo ka çuar në krijimin e familjeve transnacionale, ku anëtarët e familjes jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme, por ruajnë lidhje të forta me njëri-tjetrin përmes komunikimit modern. Teknologjia dhe rrjetet sociale kanë luajtur një rol kyç në këtë transformim. Ato kanë ofruar mënyra të reja për të komunikuar dhe për të qenë të lidhur me botën. Për shumë emigrantë shqiptarë, familja ka shërbyer si një qendër kulturore dhe emocionale që i ka mbajtur të lidhur me rrënjët dhe identitetin kombëtar. Kjo lidhje ka qenë thelbësore në ruajtjen e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit kombëtar në mjedise të huaja.

Ruajtja e gjuhës shqipe është një tjetër sfidë për familjet shqiptare në diasporë. Shumë familje e përdorin gjuhën shqipe në shtëpi dhe marrin pjesë në aktivitete kulturore shqiptare për ta ruajtur lidhjen e tyre me kulturën dhe gjuhën shqipe. Edhe në këtë aspekt kontrasti mes familjes së përgjegjshme dhe atdhedashëse shqiptare dhe shteteve të papërgjegjshme dhe të pakujdesshme shqiptare është më se i qartë. Në ruajtjen dhe mbajtjen e traditave e vlerave kombëtare, të gjuhës dhe dashurisë për atdheun, shtetet shqiptare jo vetëm që kanë qenë dorëjashtë dhe të painteresuar, por shumë herë edhe kanë qenë pengues e dëmtues, veçanërisht duke i tejmbushur përfaqësitë diplomatike nëpër vendet ku diaspora shqiptare është e fortë dhe e rëndësishme me përfaqësues arrogantë, injorantë, të korruptuar e të paaftë.

Ndryshimet në sistemin e vlerave janë po aq të rëndësishme sa ndryshimet strukturore dhe demografike. Ka një zhvendosje nga vlerat tradicionale të familjes, si respekti për hierarkinë dhe rolin e familjes zgjeruar, drejt një sistemi më liberal dhe individualist të vlerave. Në këtë kontekst, familjet shqiptare janë duke gjetur një balancë të vështirë midis ruajtjes së elementëve të tyre tradicionale dhe përqafimit të ndikimeve të modernitetit global.

Në përballjen me këto ndryshime, rëndësi të veçantë ka edukimi dhe dialogu brenda familjeve. Një nga çelësat e përballjes me këto sfida është adaptimi dhe fleksibiliteti. Shqiptarët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, po përshtaten me ndryshimet, duke ruajtur elemente të traditës, por edhe duke pranuar elemente të reja, që janë të përshtatshme me realitetin e tyre të ri. Pavarësisht ndryshimeve, ka një përpjekje të vazhdueshme për ta ruajtur kulturën dhe identitetin kombëtar.

Familja është një laborator i mrekullueshëm social, ku njerëzit mësojnë se si të komunikojnë, të ndajnë, të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin konflikte. Këto marrëdhënie janë të rëndësishme jo vetëm brenda familjes, por edhe si modele për marrëdhëniet jashtë saj.

Natyrisht që duhet theksuar se liria në kontekstin e familjes nuk do të thotë mungesë e rregullave ose përgjegjësive. Përkundrazi, liria vjen së bashku me sensin e përgjegjësisë dhe respektit ndaj të tjerëve. Në familje, fëmijët mësojnë se si liria e tyre ndërlidhet me përgjegjësinë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, duke krijuar një drejtpeshim midis të qenit i lirë dhe të qenit pjesë e një komuniteti më të gjerë.

Në përfundim, familja si hapësirë e lirisë është një koncept që nënkupton se ajo ofron një mjedis ku individët mund të rriten dhe të zhvillohen në një atmosferë të sigurt dhe mbështetëse. Duke u rritur në një mjedis familjar ku marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën e respektit dhe ku përgjegjësia shkon dorë për dore me lirinë, individët formohen si qytetarë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, të aftë për të kontribuar pozitivisht në shoqëri. /revistashenja

You may also like