”Express”: Putin poshtërohet pasi tre spiunë rusë kapen në flagrancë në një fabrikë shqiptare armësh

by admin
Spread the love

LONDER, 21 gusht /ATSH/ – Presidenti rus, Vladimir Putin u poshtërua sërish, pasi tre spiunë rusë u kapën në flagrancë duke u përpjekur të hynin në një fabrikë shqiptare armësh, shkruan John Varga për gazetën britanike ”Express”.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën në qytetin e Gramshit, ku ndodhet një bazë ushtarake me një fabrikë armësh. Fabrika e Gramshit përdoret për të çmontuar armët e vjetra, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Dy rusë dhe një ukrainas u kapën nga personeli i sigurisë teksa po tentonin të hynin në ambientet e saj.

Një nga të dyshuarit dyshohet se sulmoi rojet me një spray paralizues, ndërsa përpiqej të bënte fotografi. Dy nga personeli shqiptar i sigurisë u plagosën dhe u dërguan në spital, ku gjendja e tyre përshkruhet si e qëndrueshme.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha në një deklaratë se “tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në fabrikë. Menjëherë kanë reaguar oficerët që ruanin impiantin, por gjatë përpjekjeve për ndalimin e tre shtetasve të huaj kanë mbetur të plagosur dy ushtarët tanë. Në përpjekje për t’i shpëtuar kontrollit, një nga shtetasit rusë, i identifikuar me inicialet MZ, 24 vjeç, përdori spray neuro-paralizues mbi dy rojet e sigurisë”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se tre personat ishin “të dyshuar për spiunazh”.

Ai vlerësoi rojat e fabrikës për veprimet e tyre, duke postuar në Twitter “Çfarë krenarie për rojat ushtarake që neutralizuan tre individë të dyshuar për spiunazh. Tani të presim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje”.

Një stacion televiziv në Shqipëri ka mundur të identifikojë dy nga spiunët rusë.

Ai pretendoi se gruaja ishte 33-vjeçarja Svetlana Timofeeva, ndërsa njëri nga burrat ishte 23-vjeçari Mikhail Zorin – të dy janë rusë.

Zonja Timofeeva dihet se udhëton nëpër botë dhe bën fotografi të “objekteve të çuditshme”, siç janë avionët e vjetër.

Ajo drejton një blog të quajtur ”Lanor Sator photography”, për të cilin disa kanë pretenduar se financohet nga shërbimi sekret rus.

Timofeeva ka mohuar çdo lidhje me shërbimib sekret rus.

Në një postim në blogun e saj, ajo shpjegoi se “unë shpesh marr pyetje si kjo (kush ju financon?) – dhe vazhdoj të shoh blogun tim të referuar diku në internet si ‘projekti i fotografisë Lana Sator’ – edhe pse @lanasator është vetëm një person”.

“Unë udhëtoj shumë, vetëm kështu – blej një biletë, gjej një vend për të qëndruar, kap çantën e shpinës dhe nis rrugën!’ Unë e kam bërë këtë për më shumë se 15 vjet. Blogu im nuk sponsorizohet nga asnjë shërbim i huaj sekret”, thekson ajo.

Pavarësisht mohimeve të saj, dyshimet vazhdojnë për natyrën e vërtetë të udhëtimeve dhe fotografive të saj.

Christo Grozev, një gazetar investigativ i ”Bellingcat”, vuri në dukje se rusja kishte një histori “interesante” udhëtimesh dhe shpesh kishte qenë në shoqërinë e “fotografëve” të tjerë.

Ai shkroi në Twitter se “ajo ka një histori interesante udhëtimi: kalimet kufitare tregojnë se ajo udhëton shumë herë në shoqërinë e ‘fotografëve’ – të paktën një prej të cilëve u arrestua këtë janar në Egjipt dhe duhej të shpëtohej nga Ministria e Jashtme ruse. Një tjetër fotograf-bloger me të cilin udhëton shpesh është paraqitur në projektin shtetëror RussiaBeyond dhe i pëlqen të fotografojë, si dy të tjerët, ‘objekte të çuditshme’, si për shembull aeroplanë të vjetër”.

Ai shtoi se “ky mund të jetë i gjithë një koleksion i pafajshëm i fotografëve hobistë të mirëfinancuar që udhëtojnë nëpër botë (së bashku) dhe bëjnë blogje. Ose mund të jetë një mbulesë shumë e mirë për shërbimin sekret. Do ta zbulojmë në një mënyrë ose në një tjetër shumë shpejt. Më shumë nesër, me siguri”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like