Ekspertët: Aktakuza ndaj Trump, provë për demokracinë amerikane

by admin
Spread the love

Por tani, vetë zoti Trump përballet me akuza penale lidhur me pagesën prej 130 mijë dollarësh për të blerë heshtjen e një aktoreje filmash pornografikë në prag të zgjedhjeve të vitit 2016. Ish-Presidenti Trump ka mohuar çdo keqbërje dhe ka akuzuar prokurorin e Manhatanit, demokratin Alvin Bragg, për “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht për të penguar kandidimin e tij për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024.

Presidenti Biden nuk pranoi të komentonte kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për protesta të mundshme.

Në Nju Jork, një grup i vogël protestuesish thonë se zoti Trump duhet të përballet me një gjyq të drejtë përballë akuzave të ngritura nga një juri e përbërë nga amerikanë të zakonshëm.

Mbështetësit e zotit Trump dolën në rrugët e qytetit West Palm Beach të Floridës, pranë vendit ku jeton ai. Zoti Trump pati bërë thirrje për protesta masive nëse ndaj tij ngrihej aktipadia. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se mbarë bota do të shikojë nëse protestat do të jenë paqësore apo nëse do të ketë dhunë politike, siç ndodhi më 6 janar të vitit 2021 në ndërtesën e Kongresit.

“Vendet e tjera do të ndjekin me kujdes nëse kanë marrë fund prirjet e 6 janarit apo nëse ende egziston mundësia për trazira civile në Shtetet e Bashkuara”, thotë Michael Kimmage me Universitetin Katolik të Amerikës.

Një numër republikanësh të njohur e kanë denoncuar aktakuzën ndaj zotit Trump si të motivuar politikisht. Mes tyre janë edhe ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe guvernatori i Floridës Ron DeSantis. Ata shihen si konkurrentë të mundshëm përballë zotit Trump për të marrë emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale.

Një eksperte i tha Zërit të Amerikës se kjo është shqetësuese.

“Jam shumë e zhgënjyer që ka udhëheqës republikanë, jo të gjithë, por disa prej tyre, të cilët e kritikojnë aktpadinë që nuk e kanë lexuar, sepse ende nuk është bërë publike”, thotë Cecile Shea me Këshillin e Çikagos për Çështjet Globale.

Në vitin 1974 Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen për të menjanuar ngritjen e padisë ndaj tij lidhur me skandalin Watergate. Zoti Nixon nuk u përball me akuza penale sepse u fal nga Presidenti Gerald Ford.

Një numër vendesh demokratike kanë hetuar, ndjekur penalisht dhe në shumë raste, kanë dënuar dhe burgosur ish-udhëheqës, përfshirë Korenë e Jugut, Italinë dhe Francën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu aktualisht po përballet në gjykatë me akuza për korrupsion.

Ekspertja Cecile Shea i tha Zërit të Amerikës se do të ishte shqetësuese nëse problemet ligjore të zotit Trump marrin përmasa më të mëdha, pasi ai është kthyer pothuajse në një kult për mbështetësit e tij. Ajo vuri në dukje se klima politike në Shtetet e bashkuara është shumë më emocionale dhe e polarizuar krahasur me 50 vjet më parë kur Presidenti Nixon dha dorëheqjen./VOA

You may also like