Edhe i huaji të çmon për aq sa flijohesh për popullin dhe vendin tënd!

by admin
Spread the love
Kim Mehmeti

Sikur e ‘majta’ dhe e ‘djathta’ shqiptare t’i ishin përkushtuar çështjes Çame aq saç kujdeset Greqia për ‘Belerët’ e saj, atëherë Athina zyrtare kurrë nuk do guxonte të ndërhynte në drejtësinë shqiptare thuajse Shqipëria është protektorat i saj.
Por duke e parë se Tirana zyrtare është arrogante ndaj shqiptarëve e jargavitese ndaj të huajve, Athina zyrtare prej moti e ka kuptuar se pushtetarët shqiptarë asgjë nuk i intereson më shumë se pushteti dhe se, e ‘majta’ shqiptare ndjehet mirë kur atë e pëlqen Serbia, ndërkaq e ‘djathta’ kur atë e lëvdon Greqia.
Shkurt e shqip, beteja mes të ‘majtës’ e të ‘djathtës’ shqiptare rreth të drejtave të ‘Belerëve’ që i shërbejnë ‘mëmëdheut’ të vet dhe që i mbron Greqia, më së miri e shpërfaq të vërtetën se Shqipërisë i mungojnë politikanë që shtetit ia japin vetveten e jo shtetin vetvetes, se ajo nuk ka mjaftueshëm burrështetas që e kanë kuptuar se edhe mund të gjesh miq të huaj që do të mbrojnë nga armiku e që mbase edhe do të ushqejnë, por dinjitetin dhe nderin e shtëpisë tēnde duhet t’i ruash e t’i mbrosh vetë.
Pra se Shqipëria nuk ka mjaftueshëm politikanë që e kanë kuptuar se edhe i huaji të çmon vetëm për aq sa je i gatshëm të flijohesh për popullin dhe vendin tënd.

Nga: Kim Mehmeti

You may also like