Debati mbi shaminë, Enveri i Kosovës si strumbullar – Shqip

by admin
Spread the love

Si për ironi, njeriu që nxorri urdhërin administrativ për kufizimin e shamisë në shkolla, gjë e cila është bërë debat tashmë në Kosovë, është Enver Hoxhaj, emri dhe mbiemri i të cilit korrespondon me atë të ish-diktatorit komunist shqiptar, njeriu që ndaloi ushtrimin e besimit në Shqipëri në vitin 1967-të dhe e shpalli vendin si ateist me Kushtetutë.

Në ish-Jugosllavinë ku ndodhej Kosova kjo nuk ndodhi, por lufta ndaj besimit, kryesisht atij islam, ishte permanente në forma të tjera.

Për shoqërinë fetare në Kosovë, ata që sot godasin shaminë, e cila është një normë islame jo me burim njerëzor por hyjnor, janë trashëgimtarë të asaj fryme komuniste, e cila është ushqyer dhe me mite të nacionalizmit folklorik. Për besimtarët muslimanë, atdhedashuria e pastër është gjithashtu një princip fetar, gjë e treguar kjo në çdo kohë, e që si mishërim e kulm ka Lidhjen e Prizrenit, një kuvend mbarëkombëtar mbajtur në xhami e udhëhequr nga klerikë muslimanë.

Që Enver Hoxhaj është shkaktar i kësaj tollovie të sotme, është potencuar kjo nga hoxhë Labinot Maliqi, i cili pos që e kujton këtë fakt, sjellë në vëmendje përgjegjësinë para Zotit të të gjithë atyre që sulmojnë një normë fetare të urdhëruar prej Tij.

“Ish-zv. kryeministrin e ish-ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, e pata takuar në vitin 2019, për t’i kërkuar shfuqizimin e ndalesës së Udhëzimit Administrativ që e kishte vënë dikur, por nuk e bëri dhe pastaj qytetarët i ndëshkuan me votë.

Enver Hoxhaj, si personi kryesor, së bashku me disa nga kolegët e tij partiak sa ishin në pushtet, e patën vendosur në Ministrinë e Arsimit një ndalesë për bartjen e uniformës fetare në shkolla në kuadër të një udhëzimi administrativ, i cili që nga dita e parë bije në kundërshtim me vet Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Nëpërmjet këtij udhëzimi islamofob, edhe sot tentohet të privohen vajzat nga e drejta e tyre fundamentale për t’u shkolluar. Për shkak të këtij udhëzimi krejtësisht të p nevojshëm, edhe sot vazhdon debati, acarimet, urrejtjet e fyerjet në shoqërinë kosovare. Të tillët politikanë do t’i dënoj historia, ne nuk do t’ua harrojmë asnjëherë, e pashmangshëm do të japin llogari një ditë para të Plotfuqishmit. Do ta vlerësonim sikur të kërkonin falje për këtë kaos mbi 12-vjeçar të shkaktuar nëpërmjet një ndalese administrative.

Që nga 3 Marsi, 2022, fatmirësisht nuk kemi patur asnjë përjashtim në Kosovë për shkak të bartjes së shamisë. Cilado vajzë që ka arritur moshën e pjekurisë/pubertetit, edhe sot mund të mbulohet dhe ta vijon shkollimin e saj, por interesimi e vendosmëria për ta bartur shaminë e shohim se është tepër e vogël. Prandaj, kurdo që të shfuqizohet ndalesa e UA, do të jetë e njejta gjendje nëpër shkollat tona.

Nuk ka nevojë për panik. Ne shqiptarët nuk jemi mysliman që nga paslufta, por jemi më shumë se 500 vite. Minoritetet do të ishte mirë të mos na bullizojnë e fyejnë, por edhe kur e bëjnë – ne lutemi për ta, nuk do të lejojmë të dëmtohet bashkëjetesa jonë autoktone e shumë shekullore. Diversiteti është vlerë e Zotit në tokë, të cilën do ta vlerësojmë e respektojmë gjithmonë.

Le të punojmë së bashku për të mirën e përbashkët në rrugëtimin tonë drejt perëndimit dhe vlerave amerikane, pa e ndjerë nevojën e mohimit të realitetiit fetarë, dhe pa i tretur vlerat tona kombëtare”, shkruan hoxha kosovar. /tesheshi.com/

You may also like