COP28 – Baerbock: Shumica e vendeve të gatshme për angazhime ambicioze për klimën

by admin
Spread the love

DUBAI, 10 dhjetor /ATSH-DPA/ – Në konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën në Dubai, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se një shumicë e madhe e rreth 200 shteteve pjesëmarrëse janë në favor të më shumë veprimeve për të adresuar ndryshimet klimatike.

“Tani është “detyra e ditëve të mbetura” për të arritur unanimitet”, tha Baerbock.

“Dy ose tri vende nuk duhet të qëndrojnë kundër sigurisë së të gjithë njerëzve të tjerë në këtë botë”, shtoi ajo.

Zyrtarisht, konferenca do të përfundojë të martën, por parashikohet një zgjatje e saj.

Në një intervistë për radio “Deutschlandfunk”, Baerbock i bëri thirrje më parë Kinës dhe Arabisë Saudite, ndër të tjera, që të mos pengojnë rezolutat ambicioze.

“Tashmë ekziston një shumicë e gjerë vendesh që mund të bien dakord për një dokument shumë ambicioz, për çështjet e reduktimit të emetimeve të gazeve serrë dhe kompensimit të vendeve më të varfra për dëmin e shkaktuar nga ndryshimet klimatike”, tha Baerbock.

Vendet më pak të zhvilluara që kanë kontribuar më pak në emetimet e gazeve serrë po kërkojnë gjithashtu mbështetje për ristrukturimin e kushtueshëm të ekonomive të tyre dhe largimin nga karburantet fosile.

“Reduktimi i gazeve serrë dhe drejtësia klimatike shkojnë paralelisht”, theksoi Baerbock, i cili gjithashtu vuri në dukje se takimi i shteteve në COP28 është një “konferencë unanimiteti”, ku në fund, të gjitha delegacionet duhet të bien dakord për një deklaratë të përbashkët përfundimtare.

Së bashku me ministren gjermane të Mjedisit Steffi Lemke, Baerbock premtoi 60 milionë euro të tjera (65 milionë dollarë) në Dubai për një fond financiar për të ndihmuar vendet të përshtaten më mirë me ndikimet klimatike dhe të bëhen më elastike.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like