“Çelësi” i pushtimit rus: Pse Mariupoli është “Stalingradi” i luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love

Mariupol ishte shtëpia e 565,000 banorëve. Nuk është më. Është kthyer në një zonë lufte, qendër e përleshjeve të ashpra midis forcave ruse dhe ukrainase. Tetëdhjetë për qind e shtëpive të qytetit janë dëmtuar dhe më shumë se një mijë njerëz janë bllokuar në strehën e teatrit të bombarduar.

Zyrtarët në Mariupol thonë se më shumë se 2,500 njerëz kanë humbur jetën që kur forcat ruse sulmuan më 24 shkurt, ndërsa 35,000 arritën të ikin nga qyteti. Imazhet satelitore nga American Maxar Technologies tregojnë dëmet që ka pësuar qyteti nga bombardimet e pamëshirshme.

Para pushtimit rus, ajo ishte gjithashtu qendra e komunitetit grek në zonë. Qyteti ka qindra ndërtesa banimi të klasës punëtore, me stil identik dhe një plazh të madh. Në fshatrat greke, të shpërndara nëpër qytet, shtëpitë janë të lyera bardheblu, bërë nga grekët e ardhur nga Krimea, në shtator 1778, me nxitjen e Mitropolitit të Kythnos Ignatius.

Mariupol ka një port në Detin Azov dhe dy nga fabrikat më të mëdha të çelikut në Evropë. Është vetëm 30 kilometra larg Rusisë. Por nuk është afërsia me Rusinë që e ka synuar atë që në fillim. Pushtimi i Mariupolit ishte një parakusht për zbatimin e planit rus për lidhjen e Krimesë me territorin rus. Për më tepër, Mariupol është një port i rëndësishëm strategjik në Azov.

Nëse Mariupol “bie”, rusët do të kenë kontrollin e plotë të detit Azov dhe porteve të tij, pasi do të krijojnë një zonë tokësore midis Krimesë dhe Donbasit, e cila tashmë është e kontrolluar, e mbështetur nga separatistët pro-rusë. Ky ka qenë plani i forcave ruse që në fillim, i cili është në një pikë të avancuar, pasi tashmë Mariupoli është i rrethuar.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se po “shtrëngon lakun” rreth qytetit. Pretendimet e ministrisë ruse u konfirmuan për BBC nga kryebashkiaku Vadim Boichenko. “Okupatorët ia dolën pjesërisht në zonën operacionale të Donetskut, duke e privuar përkohësisht Ukrainën nga aksesi në Detin Azov”, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në një deklaratë.

Në një deklaratë mbrëmjen e së shtunës, Presidenti Volodimyr Zelenski akuzoi Moskën për krime lufte dhe tha se tmerri që po përjeton Mariupoli do të mbahet mend për shekuj.

“Bllokada në Mariupol do të hyjë në histori për përgjegjësinë e krimeve të luftës. T’ia bësh këtë një qyteti paqësor, është një terror që do të mbahet mend për shekujt në vazhdim. Sa më shumë ukrainasit t’i tregojnë botës për këtë, aq më shumë mbështetje do të gjejnë”, tha Zelensky.

Ka raportime se mijëra banorë të Mariupolit janë dërguar me forcë në Rusi, por vërtetimi i lajmeve nga qyteti i izoluar është i vështirë. Sirenat e arlamit u aktivizuan gati në të gjithë rajonet e Ukrainës të dielën, përfshirë Kievin, Odesën dhe Kharkivin, pas një frenimi të ofensivës një ditë më herët, kur ushtria ruse u fokusua tek rifurnizimi dhe riparimi i mjeteve të dëmtuara.

Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe tha se Moska kishte dështuar të merrte kontrollin ajror dhe po mbështetej në armë të lëshuara nga territori i vet. Për të dytën ditë radhazi, Rusia pranon se ka përdorur armë hipersonike kundër objektivëve ushtarake ukrainas.

You may also like