BULLGARI – Themelohet Shoqata Ballkanike e Universiteteve Ekonomike

by admin
Spread the love

SOFJE, 29 nëntor /ATSH-BTA/ – Një Shoqatë Ballkanike e Universiteteve Ekonomike u themelua në Shkollën e Lartë të Sigurimeve dhe Financave.

Shoqata është themeluar me iniciativën e kësaj shkolle dhe bashkon universitete nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po hapim një shoqatë e cila bashkon universitetet ekonomike nga rajoni i Ballkanit. Besoj se përpjekjet e bashkuara për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për arsimin e lartë, shkëmbimin shkencor dhe akademik do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit tonë dhe në veçanti të arsimit të lartë në fushën e ekonomisë”, tha rektori i shkollës Boris Velçev.

Ndër qëllimet kryesore të Shoqatës Ballkanike do të jetë përafrimi i programeve të ekonomisë për të lehtësuar njohjen reciproke të diplomave dhe trajnimeve, lëvizshmërinë e studentëve, mësuesve dhe administratës në kuadër të Programit Erasmus dhe programeve të tjera të lëvizshmërisë.

Asociacioni do të krijojë bazat për futjen e programeve të përbashkëta bachelor dhe master.

Kryetar i Bordit Drejtues të Shoqatës Ballkanike u zgjodh Boris Velçev, rektor i Shkollës së Lartë të Sigurimeve dhe Financave.

Shoqata është e hapur për pranimin e universiteteve nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Si një nga aktivitetet e para, Asociacioni Ballkanik i Universiteteve Ekonomike do të mbajë një konferencë ndërkombëtare me titull “Ekonomia e së ardhmes”, e cila do të zhvillohet në Sofje nga data 19 deri më 21 prill të vitit 2023./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like