BRUKSEL – Pistorius hedh poshtë dyshimet mbi objektivin prej 2% të mbrojtjes së NATO-s

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 14 shkurt /ATSH-DPA/- Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius hodhi poshtë pyetjet në lidhje me aftësinë e vendit të tij për të mbështetur shpenzimet e mbrojtjes prej 2% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për vitin 2024.

“Ne i kemi mbështetur shpenzimet e mbrojtjes me mbi 2% të PBB-së, ky është mesazhi”, tha sot Pistorius në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Një kal i mirë nuk kërcen më lart se sa duhet”, shtoi ai.

Për herë të parë në tre dekada, Gjermania njoftoi NATO-n për shpenzimet e planifikuara të mbrojtjes që arrijnë në të paktën 2% të PBB-së së saj.

“Qeveria gjermane raportoi se do të ndajë ekuivalentin prej 73,41 miliardë dollarësh për shpenzimet e mbrojtjes në vitin aktual, një shifër rekord për Gjermaninë në terma absolutë e cila do të arrinte në 2,01% të PBB-së”, sipas parashikimit aktual të NATO-s.

Në të kaluarën, sipas dokumenteve të NATO-s, Gjermania shpenzoi për herë të fundit 2% të PBB-së së saj në vitin 1992. Në vitet e Luftës së Ftohtë, shifra ishte mbi 3%.

Nëse ekonomia e Gjermanisë rritet me më shumë se sa pritej në 2024, atëherë shpenzimet e planifikuara të mbrojtjes mund të bien nën objektivin prej 2% të NATO-s. Ky rezultat nuk e shqetësoi Pistorius.

“Nëse PBB-ja në fund të vitit ishte më e lartë nga sa mund të kishim parashikuar në fillim, atëherë askush nuk mund të fajësohet për këtë”, tha ai.

Ministrat e vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë sot dhe nesër në Bruksel mbështetjen për Ukrainën, si dhe angazhimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like