BM – Mjekët të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të mbretëreshës Elizabeth

by admin
Spread the love

LONDËR, 8 shtator /ATSH-DPA/- Mbretëresha Elizabeth e Britanisë së Madhe është nën mbikëqyrjen mjekësore në Balmoral ndërsa mjekët janë të shqetësuar për shëndetin e saj, njoftoi sot pallati mbretëror “Buckingham Palace”.

Monarkja, 96 vjeç, u tërhoq dje nga Këshilli virtual Privy, një ditë pasi emëroi Liz Truss si kryeministren e Britanisë së Madhe gjatë një takimi në shtëpinë e mbretëreshës në malësitë skoceze.

“Pas disa vlerësimeve këtë mëngjes, mjekët e mbretëreshës janë të shqetësuar për shëndetin e madhërisë së saj dhe i kanë rekomanduar të qëndrojë nën mbikëqyrjen mjekësore. Mbretëresha ndodhet në Balmoral”, tha një zëdhënës i pallatit.

Familjarët e afërm të mbretëreshës, përfshirë Princin Charles, janë informuar, pas njoftimit të fundit që përshkallëzon frikën për shëndetin e monarkes.

Kryeministrja britanike, Liz Truss tha se i gjithë vendi do të jetë shumë i shqetësuar pas njoftimit të “Buckingham Palace”.

Monarkja më jetëgjatë e vendit ka patur probleme të vazhdueshme të lëvizshmërisë dhe ka përdorur një shkop për të ecur gjatë audiencës historike të zgjedhjes së Truss si kryeministre, që pasoi me një vizitë te kryeministrit në largim, Boris Johnson i cili paraqiti zyrtarisht dorëheqjen e tij. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like