Biblioteka e babës | Shqip

by admin
Spread the love
Edison Çeraj

Nji prej gjanave që mbaj mend nga fëmijëria është edhe biblioteka e babës, jo fort e madhe, por me libra/autorë të randësishëm: Homeri, Eskili, Euripidi, Hugo-i, Stendal-i, Kadareja e shumë të tjerë. Në fakt, nuk ia trajtoja mirë librat, sepse si fëmijë kisha dëshirë me u argëtu me ta duke vizatu në fillim e në fund të tyre, te faqet bosh, që përbanin nji tundim të madh për mua. Dihen vështirësitë rrënuse të kohës së komunizmit, sidomos mbas viteve 80, dhe ndonji fletore vizatimi që më blinin nuk më mjaftonte.

Edison Çeraj

1.

Është fjala për librat e vendosur me shpinë nëpër rafte, me qindra e mijëra. Librat sikur na e kthejnë shpinën të gjithëve njësoj, pa ba asnji dallim. Ashtu rrinë për gjatë, shumë gjatë, ma shumë se rrahjet e nji zemre, ma pak se shpresa. Heshtja e librave është nji prej heshtjeve ma të thella në përjetim e përfytyrim: gjithmonë të kujtojnë diçka, të prekin diku e disi. Librat na japin gjithnji diçka, qoftë edhe duke i pa; madje ka raste kur nji libër të jep ma shumë vetëm duke e këqyrë në shpinë, pa e lexu. Për aq sa nuk e kemi lexu, çfarë nuk mundojmë për përmbajtjen e tij, lloj-lloj përfytyrimesh e mendimesh. Ndërsa kur e lexojmë, imagjinata jonë për të zvogëlohet pa kthim, kufizohet, bahet diçka konkrete. Është edhe nji lloj zhgënjimi, sepse ne presim nga nji libër ma shumë se sa mundet me na dhanë, dhe kjo është ura që na kalon lehtësisht te libri i radhës. Etja është ma e madhe se burimi. Është nji udhëtim midis mospërmbushjes dhe shpresës, nji aventurë që të mban në kambë me motivin e gjetjes së asaj që kërkojmë. “Ajo që ti kërkon, po të kërkon.” (Rumi)

2.

Nji prej gjanave që mbaj mend nga fëmijëria është edhe biblioteka e babës, jo fort e madhe, por me libra/autorë të randësishëm: Homeri, Eskili, Euripidi, Hugo-i, Stendal-i, Kadareja e shumë të tjerë. Në fakt, nuk ia trajtoja mirë librat, sepse si fëmijë kisha dëshirë me u argëtu me ta duke vizatu në fillim e në fund të tyre, te faqet bosh, që përbanin nji tundim të madh për mua. Dihen vështirësitë rrënuse të kohës së komunizmit, sidomos mbas viteve 80, dhe ndonji fletore vizatimi që më blinin nuk më mjaftonte.

Ishte ajo fazë e jetës sime kur i qasesha librit edhe si objekt, gati si nji send misterioz që gjithmonë më linte të paqartë, ngurrues, të hutuar, nji gravitet i llojit të vet, që teksa më përpinte lëshonte pyetje të llojit: Çfarë duhen këta libra? Pse janë aq të përqendruar dhe të largët këta të mëdhenjtë që i lexojnë? Pse e ndiej aq të largët babën kur lexon? Pse librat nuk po më thonë ende diçka mua?

Shpeshherë baba më fliste për mitologjinë greke, për heronj e ngjarje që më hutonin edhe ma tepër, por edhe më tërhiqnin shumë. Mundohesha me i dhanë nji kuptim si fëmijë asaj që më rrëfente, por ishte disi e pamundur, pavarësisht se më bante me jetu në nji jetë paralele, që me raste e besoja plotësisht, ngaqë realja, normalja më është dukë e vazhdon me m’u dukë e huaj, pa ndonji shije, me nji aromë që nuk ia kam dalë kurrë me e marrë seriozisht, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme.

Kështu, biblioteka e babës u shndërrua në nji ishull ku ngushëlloja veten pas ecejakeve të lodhshme e zhgënjyese nëpër shtigjet e realitetit, veçmas atij realiteti që projektoi komunizmi: zymtësi e optimizëm arrogant, që e zbrazte edhe natyrën nga shenjat e shenjtërisë. Duhej qëndresë përballë atij dështimi ulëritës, që përmes nji kambënguljeje patologjike na ushqehej si fitore, duke të goditë kështu në nji pikë të ndjeshme: me të ba budallë me zor.

Me sa kujtoj e ndiej, tashma në distancë, ajo bibliotekë e babës u ba antidoti i këtij sulmi tëhuajtës të regjimit, ngushëllim për dinjitetin njerëzor, mundësi për me gjete kuptim. Ndieja nji lloj boshi që ma zbusnin amel edhe dy gjyshet e mia, sidomos gjyshja në fshat, që e thërrisja Nananana – kështu e thërras edhe sot. Ajo i jepte kuptim çdo gjaje, me aq lehtësi, qoftë edhe kur heshtte. Mendonte pak, rrëfente shumë, jetonte thellë.

Me sa kujtoj kisha fillu me u shqetësu shumë herët për derte “filozofike”. Mbaj mend se u baja pyetje të sikletshme të rriturve:

“A këndon ma mirë Kola apo Zoti?” Kola ishte nji rapsod, mik i familjes, i cili i dorëzohej kangës darkave kur mblidheshin për ndonji rast. Ishte gjithmonë i qeshur, vital në karakter; më përcillte gjithnji nji ndjesi besimi.

Më duket se libri i parë që kam marrë në dorë si fëmijë ishte Odiseja, me nji kopertinë të trashë, në kafe të errët, me nji hark e shigjetë në mes; emri i autorit në krye, kurse titulli i librit poshtë; pothuajse nji ballinë misterioze. Ma shumë më tërhiqte fjala “Homer” se “Odiseja”, se për mua vetëm fjalë ishin, fjalë të çuditshme që ngulmonin me më ba për vete, dhe ia dolën. Mbas nji lloj rebelimi tipik të moshës në lice, me fillimin e shkollës së lartë, shenja në kujtesë që kish lanë në mua biblioteka e babës më rilidhi fort me librin.

3.

Sikur vetëm kaq me ba prindërit për fëmijët e tyre do të mjaftonte: me i lindë e me i rritë me nji bibliotekë të vogël në shtëpi.

Ndoshta gjaja e parë që mbillet në qenien e nji fëmije të rritur kështu është prirja me pa përtej asaj që duket, për me kërku nji domethanie te ajo që i ndodh, me dëgju edhe zanat e heshtjes.

Ky do të ishte nji fillim me kambë të djathtë. /revistashenja

You may also like