BDI-ja nuk do të votojë për propozimet e VMRO-DPMNE-së për ministrat në qeverinë teknike

by admin
Spread the love

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk do t’i mbështesin propozimet për ministra në qeverinë teknike, që do të jenë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, konfirmuan për MIA-n burime të partisë.

Ky vendim i BDI-së vjen pasi që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski paraprakisht deklaroi se Talat Xhaferi nuk e meriton mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për kryeministër teknik dhe në interes të atmosferës së mirë dhe procesit demokratik, partia do të përmbahej nga votimi.

Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, sot në deklaratë për mediat tha se vendet që me ligj i takojnë opozitës në Qeverinë teknike duhet të mbeten bosh derisa VMRO-DPMNE të votojë për atë qeveri.

Ai i bëri thirrje mandatarit të ardhshëm Talat Xhaferi që të bëjë një qeveri në të cilën postet ministrore dhe postet shtesë të zëvendësministrave do të mbeten bosh, ndërsa kur VMRO-DPMNE të vendosë të mbështesë qeverinë teknike, atëherë të futen ministrat e tyre.

“Kur dikush merr pjesë në një qeveri, do të thotë se ajo qeveri duhet të mbështetet. Nuk ka përvojë dhe shembull në botë që një parti politike të marrë pjesë në një qeveri dhe të mos e mbështesë atë qeveri. Ka shembuj kur një parti politike nuk merr pjesë në qeveri, por e mbështet atë. Megjithatë, nuk ka asnjë shembull që një parti politike të marrë pjesë në një qeveri pa votuar për qeverinë. Prandaj, mendoj se VMRO-DPMNE, në përputhje me ligjin, sikur të gjitha partitë e tjera politike që janë ftuar të kenë ministra në qeverinë teknike, duhet të japin kandidatët e tyre dhe të votojnë për atë qeveri. Nëse VMRO-DPMNE vendos të mos e votojë atë qeveri, atëherë unë mendoj se ato vende duhet të mbeten bosh, mandatari të propozojë një qeveri në të cilën ato vende do të jenë të lira, dhe në momentin kur VMRO-DPMNE vendos të mbështesë qeverinë, të nesërmen mandatari do të mund të propozojë që në të njëjtën ditë të votohen ministritë që ju takojnë”, tha Kovaçevski. 

MARKETING



You may also like