Avokati i Nagip Krasniqit e quan skandaloz vendimin për caktimin e masës së paraburgimit

by admin
Spread the love

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit.

Mirëpo avokati mbrojtës i tij, Taulant Ferizi, e ka cilësuar këtë vendim të shkalës së parë si skandaloz.

Në një prononcim për Klankosova.tv, ai ka thënë se prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë për të dëshmuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit.

“Vendimi është skandaloz, në asnjë provë nuk është i mbështetur. Asnjë provë nuk e ka sjellë prokuroria për të dëshmuar caktimin e masës së paraburgimit”, deklaroi Ferizi.

Ai shtoi se mbrojtja do të paraqesë ankesë ndaj këtij vendimi.

“Brenda 48 orëve do ta apelojmë vendimin e për caktimin e masës së paraburgimit”, ka shtuar Ferizi.

Kujtojmë se të mërkurën është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Të mërkurën, njësia e veçantë e hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim që të gjejë dëshmi të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, u bë e ditur në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Bastisjet, arrestimi dhe paraburgimi i tij, ka ngjallur reagime të shumta në vend, sidomos të politikanëve nga opozita të cilët po e akuzojnë Qeverinë Kurti për keqpërdorim të pushtetit.

E zyrtarë të pushtetit, duke kulmuar me kryeministrin Albin Kurti, kanë hedhur akuza ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për arrestimin e Nagip Krasniqit.

Klikoni në vegëzat e mëposhtme për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje.

Konfirmohet arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

LAJMI I FUNDIT: Nagip Krasniqit i caktohet paraburgimi për 1 muaj (VIDEO)

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

klankosova.tv

You may also like