Austriaku kritikon qeveritë kosovare për mungesë të nxitjes së investitorëve (VIDEO)

by admin
Spread the love

Asetin më të madh në Kosovë e konsideron rininë, prandaj lobisti austriak David Ungar-Klein beson se shteti i vogël ballkanik do të ishte i njohur ndërkombëtarisht, nëse e shfrytëzon këtë potencial njerëzor, sidomos në fushën e teknologjisë.

“Njerëzit janë të rinj, dinë shumë gjuhë, kanë shumë aftësi në kompjuter, IT, kibernetikë, telekomunikim. Ata mund të jenë garues me çdo shtet në botë, vetëm duhet t’u jepet hapësira, kështu që duhet filluar nga arsimi, t’i inkurajoni njerëzit në ndërmarrësi teknologjik”, thotë ai në një intervistë për Shqip.

Por Ungar-Klein i cili që nga 2016-ta është konsull nderi i Kosovës në Austri, ka kritika për diplomacinë ekonomike të Prishtinës zyrtare. Sipas tij, institucionet këtu nuk i kanë nxitur investimet e huaja.

“Investitorët nuk e dinë se cilat janë aftësitë e Kosovës sepse unë nuk e kam parë asnjë libër që tregon se pse të investohet në Kosovë. Mendoj se secila ambasadë në botë duhet ta ketë një libër, pse të investoni në Kosovë, t’u përgjigjet 10 pyetjeve dhe t’u jepet investitorëve ide pse të vijnë këtu”, shton ai.

Veç kësaj, austriaku thotë se qeveria duhet t’u ndihmojë edhe ndërmarrësve të rinj vendorë, përmes një fondi të madh.

“Këtu mungon një fond i inovacionit, që si ndërmarrës i ri të mund të aplikoni për të marrë një fond, që të inkurajoheni të prodhoni për treg”, propozon konsulli i nderit.

David Ungar-Klein kujton se marrëdhëniet e veçanta me Kosovën i ka nisur para 13 vjetësh, pasi dëgjoi për të nga ish-kancelari austriak Erhard Busek.

You may also like