Asnjë sinjal për zgjatjen e marrëveshjes së grurit – Shqip

by admin
Spread the love

Furnizimi i vendeve të varfra me grurë ukrainas në rrezik për shkak të refuzimit të Rusisë

Janë pamje nga luftimet e Komandës së Forcave Operacionale Speciale të Ukrainës që sulmojnë ruse në lumin Dnipro.

“Si rezultat i operacionit, një anije armike u shkatërrua dhe një tjetër u dëmtua”, thuhet në raportin e ushtrisë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se “forcat ruse në pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës po investojnë gjithçka munden për të ndaluar kundërsulmin ukrainas”.

“Çdo sukses i secilës prej brigadave tona luftarake meriton mirënjohje. Të gjithë ata që shkojnë në ofensivë, të gjithë ata që zmbrapsin sulmet e armikut, po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe unë i jam mirënjohës secilit prej luftëtarëve tanë”, tha Zelensky.

Ai shtoi se pavarësisht disa ditësh të frytshme, qeveria ukrainase vazhdon të nxisë mbështetjen ndërkombëtare për vendin.

Të shtunën në Kiev zhvilloi një vizitë të papritur Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol. Ai premtoi 150 milionë Dollarë ndihmë humanitare vetëm për këtë vit.

“Koreja e Jugut do të vazhdojë të ofrojë furnizime ushtarake që i duhen Ukrainës. Pas furnizimeve të vitit të kaluar, tani ne do të mbështesim furnizimet ushtarake të një shkalle më të gjerë”.

Koreja e Jugut, një vend aleat i SHBA dhe eksportues i madh i armëve, është përballur me trysni për t’i ofruar armë Ukrainës, thirrje që administrata e Presidentit Yoon i ka rezistuar në favor të ndihmës humanitare dhe financiare, e kujdesshme ndaj ndikimit të Rusisë mbi Korenë e Veriut.

Ndërsa lufta vazhdon, marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas po skadon. Marrëveshja e njohur si “Gruri i Detit të Zi” përfundon më 17 Korrik. Të shtunën në Stamboll mbërriti anija e parafundit.

Anija “TK Majestic” u ankorua në Stamboll pasi kaloi ngushticën e Bosforit. Një zyrtare e OKB-së njoftoi se anija fundit “TQ Samsun”, është ende në portin e Odesës në Ukrainë.

Kremlini tha se Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e Afrikës e Jugut, Cyril Ramaphosa edhe mbi çështjen e marrëveshjes. Sipas njoftimit të presidencës ruse, Putin është ankuar se “zotimet për të hequr pengesat ndaj eksporteve ruse të grurit dhe plehrave kimike, nuk janë mbajtur ende”.

Mediat kanë spekuluar gjithashtu se presidenti afrikanojugor i ka kërkuar Putinit të mos marrë pjesë në samitin e BRICS-it për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar.

Klan News

You may also like