Alibeaj: Të hiqen postblloqet policore, kanë krijuar praktika korruptive dhe marrëdhënie armiqësore me publikun

by admin
Spread the love

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, se amendamentet e propozuara për Kodin Rrugor, do t’i shërbenin qytetarëve dhe se nuk do të sillnin kosto shtesë financiare.

Alibeaj theksoi se duhej të hiqej masa ndëshkuese për pezullimin e lejes së drejtimit për personat të cilët automjetin e përdornin për të shkuar në punë.

“Ne pretendojmë se masa e pezullimit të lejes së drejtimit, është disproporcionale sa kohë që e kanë automjetin si mjet pune. Të mbahet sanksioni me gjobë me dyfishin por të hiqet pezullimi i lejes sepse për ata që e përdorin për punë, praktikisht u hiqet e drejta e punësimit”, deklaroi ai.

Ndërkohë ai shtoi se brenda 15 amendamenteve të dorëzuara, ishte edhe propozimi për heqjen e postblloqeve policore në rrugët e vendit. Sipas Alibeajt, ngritja e këtyre postblloqeve përveç frymës së një shteti policor, kishte në përmbajtje edhe praktika korruptive.

“Amendamenti i fundit, është një amendament për të cilin synojmë një administrim më racional të kontrollit që Policia e Shtetit kryen në territor. Jemi të gjithë përdorues të rrugëve, shohim herë pas here që në mënyrë të papritur postblloqet mbijnë kudo. Është krijuar mendimi në publikun shqiptar që nevoja e policisë për ndjekjen e të dyshuarve për krime, kthehet në një barrë për drejtuesit e automjeteve. Ngritja e këtyre postblloqeve nga Policia e Shtetit, është një praktikë që në shumë raste ka sensibilitete të natyrës korruptive. Në një shoqëri duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë që shteti të mos shndërrohet në policor”, nënvizoi Alibeaj, teksa theksoi se propozimi i bërë për ndryshim në Kodin Rrugor përmban detyrimin që ngritja e postblloqeve policore të bëhej vetëm me urdhër të arsyetuar nga drejtori i Policisë Rrugore. 

You may also like