AGK-ja dënon vendimin për mbylljen e Kuvendit të FFK-së për gazetarët dhe mediat

by admin
Spread the love

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar vendimin për mbylljen e Kuvendit të Federatës së Futbollit të Kosovës për gazetarët dhe mediat.

Nesër do të mbahet Kuvendi Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Kuvendi në fjalë do të mbahet në selinë e FFK-së nesër (e mërkure) nga ora 11:00.

Por, në njoftimin për këtë kuvend, FFK-ja ka vendosur të vazhdojë me skandale.

FFK-ja është arsyetuar me mungesë të hapësirës për gazetarët, por ky arsyetim po konsiderohet si i paqëndrueshëm nga Asociacioni i Gazetarëve.

AGK-ja ka kërkuar nga FFK-ja të rishqyrtojë këtë vendim.

Reagimi i plotë:

“AGK-ja dënon vendimin për mbylljen e Kuvendit të FFK-së për gazetarët dhe mediat 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mbyllur punimet e Kuvendit zgjedhor për gazetarë dhe media, të paraparë për 6 prill. 

Sipas njoftimit të FFK-së, vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësirë, por asnjë gazetar. 

Arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara. Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik. 

AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre duke mos u penguar”.

You may also like