A është i fiksuar pas ekraneve fëmija juaj? Sindroma që e kërcënon kur të rritet

by admin
Spread the love

Një studim i ri e lidh kohën e tepërt para ekranit me një rrezik në rritje të zhvillimit të sindromës metabolike në moshën e mesme.

Më konkretisht, studimi i publikuar në Pediatrics argumenton se koha e tepërt para ekranit në fëmijëri rrit rrezikun e sindromës metabolike më vonë në jetë, edhe nëse një person ndryshon zakonet gjatë rrugës.

Sindroma metabolike është një grup simptomash, ku përfshin sheqerin e lartë në gjak, nivele jonormale të kolesterolit, presionin e lartë të gjakut dhe obezitetin, dhe mund të çojë në probleme serioze shëndetësore si sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe diabetin e tipit 2.

Studimi shqyrtoi më shumë se 1,000 pjesëmarrës të lindur midis 1972 dhe 1973 në Zelandën e Re, duke matur kohën që ata kaluan duke parë TV në moshat 5, 7, 9, 11, 13, 15 dhe 32 vjeç. Rezultatet treguan se shikimi i tepërt i televizorit gjatë fëmijërisë u shoqërua me nivele më të ulët kardiorespiratore, indeks më të lartë të masës trupore (BMI) dhe një gjasë më të madhe për të zhvilluar sindromën metabolike në moshën e mesme.

Edhe pse nuk mund të konfirmohet absolutisht, lidhja mes kohës para ekranit dhe sindromës metabolike është e besueshme, theksojnë studiuesit, duke shpjeguar se kjo kohë barazohet me mungesën e aktivitetit, e cila është treguar vazhdimisht se shoqërohet me probleme shëndetësore. Në të njëjtën kohë, koha para ekranit shpesh kombinohet me zakone të tjera jo të shëndetshme, si konsumimi i pijeve me sheqer dhe ushqimeve të yndyrshme.

Koha e tepërt para ekranit nuk është vetëm e keqe për shëndetin fizik afatgjatë të fëmijëve, pasi një numër studimesh tregojnë për rrezikun që rrjedh nga angazhimi i mediave sociale për shëndetin mendor, si dhe funksionin e trurit.

“Është shqetësuese ajo që po shohim, fëmijët janë ngjitur në ekranet e telefonit, tabletit, kompjuterit për shumë kohë, si rezultat i të cilave ata mbeten jashtëzakonisht joaktivë”, tha Dr. Colleen Kraft, një pediatre në Spitalin e Fëmijëve në Los Anxhelos dhe një profesore në Shkollën e Mjekësisë Universitare Keck.

“Edhe nëse fëmijët që kanë qenë jo aktive, kur rriten fillojnë të merren me aktivitete të ndryshme, ata përsëri përballen me një rrezik në rritje të zhvillimit të sindromës metabolike në moshën e mesme. Prandaj, zakonet që njeriu i adopton si fëmijë janë vendimtare për shëndetin e mëvonshëm”, shtoi ai.

Pra, çfarë mund të bëjnë prindërit?

“Gjëja më e rëndësishme është që fëmijët të jenë aktivë. Gjeni hapësira ku mund të luajnë. Shkoni në një park, ecni, ngisni një biçikletë. Kufizoni kohën që fëmijët kalojnë para ekranit. Është shumë e rëndësishme që edhe ju të merrni pjesë në aktivitetet e fëmijëve. Luaj me ta. Fëmijët priren të adoptojnë zakonet e prindërve të tyre. Pra, nëse një prind është aktiv, edhe fëmija do të jetë aktiv”, përfundoi Dr. Kraft.


Top Channel

You may also like