A është çmendur Ilir Meta?

by admin
Spread the love

Peisazhi mediatik i ditëve të fundit është përmbytur nga titujt e komentet e një çështje, e cila për nga hapësira që ka pushtuar, duket kapitale për fatet e vendit: A është çmendur apo jo Ilir Meta? Nëse ndjek debatet, analizat e lajmet frenetike për “fenomenin Meta”, krijohet përshtypja se në këtë vend, ku gjithçka shkon më së miri dhe të gjithë gëzojnë shëndet mendor të plotë, rreziku që mund të çekulibrojë shoqërinë vjen nga marrëzia e një individi.

Dilema nëse është çmendur ose jo Ilir Meta, nuk shtrohet sot për herë të parë. Ajo vjen si nevojë për të mbuluar çmendurinë e vërtetë, përballë së cilës shoqëria ka mbetur si e mpirë dhe pa fuqi reagimi. Përpara zgjedhjeve të vitit 2021, “lajthitja” e presidentit Meta ishte përsëri kryefjala e propagandës për të zhurmuar çmendurinë e mazhorancës në raport me ligjin dhe kushtetutën. Përballë akteve të çmendura të pushtetit, problemi nuk duhet të ishin ato vetë, por reagimi atipik i presidentit.

A mund të sillej si një president skandinav Ilir Meta, kur mazhoranca rrëmbente të shtunën për diell anëtaren e Gjykatës Kushtetuese dhe çonte të betohej tek një noter te ura e Lanës? Si mund të sillej presidenti kur dekretet e tij, jo që nuk zbatoheshin, por as botoheshin në fletoren zyrtare? Ç’duhet të bënte ai, kur një marrëveshje politike grisej dhe ligji zgjedhor qepej me porosi nga Rama, në kundërshtim me rekomandimet e ODHIR dhe Komisionit të Venecias? A duhej ta ngrinte ai zërin, kur prova dhe dëshmi të shumta faktonin masakrën zgjedhore që po përgatitej nga regjimi, ndërsa ky i fundit hartonte kërkesën për shkarkimin e Presidentit?

Zëri i Amerikës: Arta Vorpsi shkeli kushtetutën duke u betuar te noteri

Në të gjithë cirkun propagandistik të psikanalizës për Ilir Metën, ka patur dhe ka vetëm një qëllim. Reagimet e tij, të forta dhe shpesh të çartura, të mos trajtoheshin si pasojë e çmendurisë së frikshme të pushtetit, por si anomali e një individi që shpërthen pa shkak. Herë duke e trajtuar si të sëmurë e paranojak, herë si personazh estrade e herë si të çekuilibruar nga frika e drejtësisë, sjellja e Metës është çuar në ekstrem për ta bërë të gëlltitet si normale çmendurinë e pushtetit.

Abuzimi me pushtetin, skandalet dhe vjedhjet masive, shkeljet e Kushtetutës dhe të drejtave të opozitës, përdorimi i mediave dhe drejtësisë së re, kriminalizimi i ekonomisë dhe batërdia zgjedhore, për nga përmasat e tyre, do të luanin mendsh çdo njeri e çdo shoqëri normale.

Mazhoranca vendos se kush duhet të jetë opozita e vendit. Mbi gjysëm milion shqiptarë privohen nga e drejta për të qenë të përfaqësuar nga ata që kanë zgjedhur me votë. Parlamenti vendoset mbi Gjykatën Kushtetuese dhe të drejtat po kushtetuese që i takojnë pakicës. Zyrtarët më të lartë kapen duke vjedhur dhe askush nuk merr përgjegjësi të paktën morale. Drejtësia e re shkon deri tek ish kryeministri për akte të përpara 15 viteve dhe nuk guxon të marrë në pyetje e t’i përmendi emrin një kryetari bashkie që lejon t’i kalojnë dhjetra milionë euro kompanisë së drejtorëve të tij. Muratorë, elektriçistë, qoftexhinj e bukëpjekës përdoren për të zhvatur paratë publike dhe ata që janë përgjegjës për administrimin e kësaj paraje publike, pa u skuqur e pa u zverdhur, lajnë duart duke thënë se nuk është punë e tyre kush ha dardha e mollë pas shpine.

Kllounët/ Rama dhe Veliaj qahen nga inkuizicioni mediatik

A ka çmenduri më të madhe se kjo?

Ilir Meta ka mbi shpinë plot mëkate të abuzimit me pushtetin kur ka patur mandatin ta ushtrojë atë. Veprimet e tij janë edhe kostot që po paguan ai përsonalisht dhe forca politike që ai drejton. Ato mëkate që herë aminstoheshin nga Sali Berisha e herë nga Edi Rama, kur iu duheshin numrat e LSI, mbeten në hipotekën e Ilir Metës. Por nuk janë kurrsesi alibija për katastrofën që ka prodhuar Rilindja. Aq më tepër bëhet qesharake, kur kjo katastrofë tentohet të mbulohet nga çmenduria e Ilir Metës.

Ilir Meta mund edhe të jetë çmendur, por kjo nuk na shpëton nga çmenduria e një regjimi që nuk ka asnjë kufi për ta ndalur. Më mirë një i marrë që bërtet, se sa qindra mijë të tjerë që pranojnë të drejtohen nga marrëzia e një pushteti. Me gisht nuk duhet treguar Ilir Meta, por ata që e kanë kthyer vendin në çmendinë prej nga ku duan të ikin të gjithë. ©lapsi.al


You may also like