Fansat kërkojnë një film për Zelensky-n dhe e kanë gjetur protagonistin

by admin
Spread the love

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka fituar një pëlqim global teksa lufton për të mbrojtur vendin e tij pas pushtimit të Rusisë.

Nga ana tjetër, ka mijëra fansa që po bëjnë thirrje për një film për politikanin 44-vjeçar që të prodhohet nga Hollywood. Madje e kanë gjetur edhe protagonistin që do të interpretojë Zelensky-n, aktorin Jeremy Renner.

“A është e qartë për të gjithë të tjerët që Jeremy Renner është opsioni i vetëm logjik për të luajtur Zelensky-n në filmat biografikë që skenaristët me siguri kanë nisur t’i shkruajnë?” pyeti dikush në Twitter, duke ndarë imazhet krah për krah të të dyve.

Renner ka luajtur më parë një hero lufte në filmin aksion “The Hurt Locker”, dhe fotot e aktorit në film u vendosën përkrah fotove të Zelensky-t duke dalë në rrugë për të mbrojtur Kievin.

Në të vërtetë, Zelensky dhe Renner kanë ngjashmëri të habitshme me njëri-tjetrin dhe të shumtë ishin fansat që mbështetën idenë në rrjetet sociale.

Megjithatë, kjo gjë shkaktoi shpejt reagime nga shumë njerëz të tjerë që u kujtuan përdoruesve të Twitter-it se Ukraina është ende në mes të luftës.

“Ukrainasit po humbasin jetën e tyre dhe po u shkatërrohen shtëpitë/bizneset dhe ne me të vërtetë kemi njerëz që shkruajnë në Twitter: ‘Jeremy Renner duhet të luajë Zelensky-n në filmin për këtë!’”, tha dikush. “Kjo është gjëja më patetike dhe pa shije për të cilën mund të mendoni tani.”

Një tjetër kritikoi ashpër: “Ka njerëz që postojnë në Twitter nëse Jeremy Renner duhet të luajë Volodymyr Zelensky-n në një film për luftën në Ukrainë. Ky nuk është argëtim. Njerëzit po vdesin. Njerëzit po dalin nga shtëpitë e tyre.”

Vetë Zelensky është një ish-aktor që hyri në arenën politike vetëm në vitin 2019. Babai i dy fëmijëve ishte një nga komedianët më të njohur të televizionit të Ukrainës, duke luajtur me ironi presidentin e vendit në shfaqjen satirike “Shërbëtori i Popullit”.

Zelensky tani është në rrezik, megjithatë i ka refuzuar ofertat për t’u evakuuar nga vendi, duke zgjedhur të luftojë përkrah popullit të tij.


You may also like