2023-ta, shpresë e përfundimit të luftës për gazetaret ukrainase që ndodhen në Kosovë

by admin
Spread the love

Ardhja në Kosovë pas fillimit të luftës në Ukrainë është dhuratë nga jeta sipas gazetares ukrainase, Oksana Chykanchy.

17 korriku i këtij viti ishte dita kur Oksana për herë të parë erdhi në Prishtinë, duke u larguar nga tmerri që është duke vazhduar të ndodhë në atdheun e saj që po përballet me pushtimin e Rusisë.

Përballja me një jetë të re në një vend me kulturë dhe njerëz të tjerë, asaj i bëri përshtypje për të mirë.

Chykanchy për Klankosova.tv ka thënë se kosovarëve iu është mirënjohëse për mikëpritjen që janë duke ia bërë.

“Kurrë nuk e kam menduar që do të vija në Kosovë, por fati deshti, është dhuratë nga jeta. Kurrë nuk kam parë kaq shumë njerëz mirënjohës dhe që kanë kaq ngrohtësi për gazetarët e Ukrainës”, ka thënë Chykanchy.

Pos njerëzve, ajo një simpati e ka fituar edhe ndaj qyteteve të cilat i ka vizituar deri tani: “Të gjitha qytetet janë të veçanta, dhe shumë interesante. Prizreni i ka të veçantat e veta, po ashtu edhe Gjakova”.

Padyshim që rutinës së saj iu shtua edhe mësimi i një gjuhe të re, e cila është Shqipja. Prej fjalëve të saj të preferuara deri tani mbetet “Faleminderit”.

Chykanchy tregon se kursin e gjuhës shqipe dhe angleze është duke i bërë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

“Jemi mirënjohës për të gjitha mundësitë që na kanë ofruar në këtë program, ku kemi shumë aktivitete, kemi kurse të gjuhës shqipe dhe të gjuhës angleze, kemi konferenca, kemi shumë vizita në qytete të ndryshme të Kosovës, ka thënë Chykanchy për Klankosova.tv.

Ndonëse ka aktivitete në kuadër të programit, ajo nuk e harron vendlindjen dhe personat e tjerë që i ka lënë. Oksana shprehet se çdo mëngjes zgjohet dhe lexon lajmet me shpresën se do të përfundojë lufta dhe do të kthehet atje.

“Normalisht jemi mirënjohës për të gjithë ndihmën që e kemi nga e gjithë bota, nuk e kemi pritur këtë mbështetje për Ukrainën. Të afërmit, prindërit, fëmijët, nipërit, të gjithë janë në Ukrainë. Nuk mundesh të thuash se janë mirë, lufta vazhdon, ka stres të vazhdueshëm dhe presim që lufta të përfundojë”, ka thënë Chykanchy.

Bashkë me Oksanën në Prishtinë janë edhe 12 gazetare të tjera nga Ukraina. Njëra prej tyre është edhe Kateryna Bilobrova. Ajo për Klankosova.tv shprehet se kishte dilema për të ardhur në Kosovë, por më pas ka vendosur të vijë dhe se është e lumtur me vendimin e saj.

Kateryna shprehet se lufta, jetës së saj i ka dhënë një kahje tjetër.

“Nga fillimi i luftës jeta ime ka ndryshuar plotësisht, unë kam punuar si vullnetare, kam ndihmuar të punohen rrjeta për ushtri, dhe natën kam punuar si gazetare, më ishte dobësuar shumë shëndeti dhe kisha shumë stres”, ka thënë Kateryna.

Ajo tregon se për të është edhe më e vështirë kjo situatë pasi një pjesë të familjes e ka nga Rusia.

“Kjo është një luftë e pa drejtë dhe është duke ndodhur pa arsye, për mua është edhe më vështirë sepse një pjesë të familjes i kam nga Rusia. Për momentin ne i kemi ndërprerë të gjitha kontaktet me ata. Është shumë e vështirë të përjetohet”.

“Për momentin të afërmit e mi janë mirë, gjyshi, gjyshja dhe nëna ime, por situata ndryshon çdo sekondë dhe çdo minutë dhe nuk e dimë se a do të kenë internet dhe energji elektrike bile këtë Vit të T i”, ka shtuar ajo..

Luftën e dënon dhe shpreson se ajo do të përfundojë sa më shpejtë edhe gazetarja tjetër, Olga Lisnycha. Ajo thotë se ndonëse është në Kosovë, zemrën e ka në qytetin e saj, Kievin.

“Kosova më pelqeu me kulturën me qytetet, secili dëshiron të kthehet në shtetin e vet, dhe besoj që sa më shpejt të kryhet lufta, e përjetuam pandeminë menduam se kjo është diçka e tmerrshme, por tash e dimë që lufta është një gjë edhe më e tmerrshme. Më mungon jeta ime atje, shoqëria, familja dhe kolegët, qyteti, zemrën e kanë në Kiev, më mungon i gjithë Kievi”, ka theksuar Lisnycha.

Malli dhe mërzia shtohen edhe më shumë tani pasi janë festat e fundvitit për Olgën, e cila deklaron se nuk është në gjendje të festojë derisa vendi është në luftë.

“Situata në Ukrainë nuk na lejon të kemi disponimin siç e kemi pas vazhdimisht për festa, pavarësisht se ju i keni të zbukuruar qytetin me drita dhe gjëra të tjerë, por prapseprapë nuk kam disponim të festojë, kemi shpresë të gjitha që në vitin 2023 të kthehemi dhe të kemi paqe në Ukrainë”, ka pohuar Lisnycha.

Pritshtimëritë për t’u rritur numri i gazetareve ukrainase që janë të strehuara në Kosovë është i madh, pasi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, vazhdimisht është duke punuar në këtë çështje.

Drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, për Klankosova.tv ka deklaruar se janë të lumtur që munden të pranojnë gazetare nga lufta në Ukrainë.

“Ne kemi qenë të ekzaltuar në fillim kur është marrë vendimi për t’i sjellur gazetarët ukrainas në Kosovë. Përpos, faktit që ne jemi shtëpi e gazetarëve dhe i mbrojmë gazetarët, edhe nëse ata nuk janë gazetarë nga Kosova”.

“Natyrisht e kemi ditur se sa të rrezikuar janë gazetarët në kohë krize dhe në kohë lufte, për neve ka qenë shumë e rëndësishme që ky program të bëhet, duke qenë se ne jo më larg se 23 vite më parë kemi qenë në pozitën e njëjtë, që do të thotë, se përpos profesionale, ka qenë edhe emocionale”, ka thënë Mulliqi.

Ajo thekson se gazetarët të cilat erdhën në Kosovë, disa prej tyre, nuk kishin shumë informacione për vendin, por sipas saj, tani të gjitha kanë ndryshuar mendim për të mirë. Mulliqi shton se çdo herë i kanë emocionet e njëjta për çdo gazetare që e pranojnë si nga fillimi.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”,  është inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe European Federation of Journalists – EFJ, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ky program është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ECPMF-në.

 

 

 

 

 

You may also like