19-vjeçari nga Kosova fiton zemrat e publikut gjerman qysh në javën e parë të “DSDS”

by admin
Spread the love

Lorent Berisha është një tjetër zë i talentuar kosovar që po rrëmben fuqishëm simpatinë e publikut gjerman.

19-vjeçari me prejardhje nga Kosova, i lindur në Zvicër, së fundmi ishte pjesë e spektaklit “Deutschland sucht den Superstar”.

Qysh pas natës së parë live, Lorenti, me vendbanim në Lucern të Zvicrës, është kthyer në një prej më të preferuarve të publikut, raportojnë mediat gjermane, përcjell gazeta Botapress.

Pasi të gjithë këngëtarët pjesëmarrës interpretuan këngë nga fituesit e mëparshëm të “DSDS”, Lorenti shkëlqeu me “Now or Never”, të fituesit Mark Medlock, të vitit 2007.

Ai duket se i ka bindur spektatorët me aftësitë e tij, pasi Lorentin e votuan për në raundin tjetër.

Por, 19-vjeçari nuk është i ri në skenë. Tre vite më parë, në vitin 2020, ai mori pjesë në “The Voice of Switzerland”.

Përpara se 19-vjeçari të merrte pjesë në këtë spektakël, ai përfundoi praktikën e tij si asistent mjekësor vitin e kaluar.

Lorent Berisha jeton ende me prindërit dhe motrën e vogël. Ai thotë se familja e tij është jashtëzakonisht krenare për të.

I riu, mesa duket, nuk e kishte ndërmend të merrte pjesë vetëm në këtë spektakël, për të siguruar admirimin e publikut. Dhe kështu, një muaj më parë, ai ishte shfaqur në programin e SRF “Stadt, Land, Talent”, duke i bërë përshtypje jurisë me përformancën e tij me daulle.

“Sa më shumë vëmendje të marr, aq më mirë”, thotë 19-vjeçari nga Lucerni, Lorent Berisha.

I fokusuar në punë, e plot entuziazëm, Lorenti po e synon fitoren në këtë spektakël. /Botapress.info/.

You may also like