Zimbabve prezanton dërgesat e para të grurit nga Rusia pas premtimit (fotot)

by admin
Spread the love

Ministri i bujqësisë së Zimbabves shihej sot në pamje televizive duke inspektuar dërgesën e parë të grurit nga Rusia, si pjesë e përpjekjeve diplomatike të Moksës për të thyer izolimin e saj pas sulmit ndaj Ukrainës, shkruan rrjeti francez AFP.

Vitin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin kishte ofruar grurë falas për gjashtë vende afrikane gjatë një samiti në Shën Petersburg, pak kohë pasi ndaloi kalimin e grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi për të arritur në tregjet globale.

Përveç Zimbabves, Putin është zotuar të japë grurë edhe për Mali, Somalinë, Republikën e Afrikës Qendrore, Eritrean e Burkina Faso.

Ministri zimbabvean Vangelis Haritatos, tha sot se “importet kanë nisur të vijnë disa javë më parë” dhe janë duke arritur masën e premtuar prej 25,000 ton.

Gjatë inspektimit para kamerave Haritatos shtoi se presidenti vendit Emmerson Mnangagwa do të vendoste për menaxhimin e grurit, por me siguri ai do i shpërndahet “familjeve më në nevojë”.

Vendi afrikano-jugor ka varfëri të gjerë e papunësi të lartë, në një kohë krize inflacioni.

Zimbabve pritet të marrë gjithashtu 23,000 ton fertilizues, 10,000 prej të cilave sipas ministrit kanë ardhur tashmë.

Pas izolimit nga Perëndimi në skenën ndërkombëtare, Rusia kërkon forcim të lidhjeve diplomatike e të sigurisë me Afrikën, shkruan rrjeti AFP.

Zimbabve është gjithashtu objekt i disa sanksioneve kundër liderëve të saj nga perëndimi për çështje korrupsioni dhe abuzimi me të drejtat e njeriut.