Zgjidhet sot kryeministër i RMV-së, Xhaferi: Ndodh në kohën e duhur, dikur ishte tabu

by admin
Spread the love

SHKUP, 28 janar/ATSH/-Talat Xhaferi pritet që të zgjidhet sot kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Ai pritet të drejtojë qeverinë teknike që do të merret me organizimin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 8 Maj.

Para zhvillimit të seancës ku pritet të betohet dhe të miratohet qeveria e tij në Kuvend, Talat Xhaferi ka folur për mediat. Ai u shpreh se zgjedhja e një kryeministri shqiptar për herë të parë në Maqedoninë e Veriut ndodh në kohën e duhur.

“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur”, tha ai për Klan Kosovën.

Më tej Xhaferi shtoi se, “Kontekstet kohoret në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politik dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë me ditë, është çështje e proceseve që vijojnë dhe paraprijnë dhe që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se është në kohën e duhur konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet që ndodh i ri dhe është koha e duhur mendoj”.

Xhaferi do të ketë një mandat prej 100 ditësh. Këtë ditë e ka konsideruar si historike edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like