Zgjedhjet në veri, ç’dështim! – Shqip

by admin
Spread the love

Kanë dështuar zgjedhjet e pjesshme në veri të Kosovës, ato në komunat me shumicë serbe, të cilat, si pasojë e një bojkoti serb, udhëhiqen nga shqiptarë.

Siç raporton Radio Europa e Lirë(REL), nga KQZ është thënë, me gojën e kreut të saj Kreshnik Radoniqi, se në proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve, gjë nënkupton vijimin e qeverisjes së atyshme nga kryetarët shqiptarë.

Sipas Radoniqit, në total kanë votuar 253 persona prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Rekordi është shënuar në Zveçan, me asnjë votues.

Ka qenë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, që ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.

Ndaj, kjo ka sjellë reagimin e ashpër të presidentes Osmani.

“Kosova u dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë(shqiptarë) dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj(serbë).

Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

Por Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e Kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin.

Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, shkruan gruaja që drejton Presidencën kosovare. /tesheshi.com/

 

You may also like