Trepça avancon 1:0 ndaj Yllit në serinë finale

by admin
Spread the love

Trepça e ka fituar ndeshjen e parë të serisë finale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll kundër Golden Eagle Yllit.

Në duelin e parë, të luajtur të enjten mbrëma në Mitrovicë, Trepça triumfoi me rezultatin 77:68.

Me këtë triumf, Trepça edhe ka ruajtur epërsinë e terrenit vendas, ndërsa ekipi që regjistron tri fitore do të shpallet kampion i Kosovës për këtë edicion.

Në të vërtetë, përballja e parë ishte tejet e fortë, interesante dhe dramatike deri në momentet e fundit.

Skuadra e Yllit e nisi ndeshjen më mirë se Trepça dhe çerekun e parë e fitoi me shifrat 29:20 dhe kjo ishte periudha e vetme që ekipi nga Suhareka arriti ta fitoj gjatë tërë ndeshjes.

Trepça i fitoi tre çerekët tjerë, ndërsa shpërtheu në minutat e fundit të ndeshjes për ta mposhtur Yllin me një epërsi prej 10 pikëve.

Devonte Upson ishte më efikasi te Trepça me 11 pikë e 10 kërcime, ndërsa 11 pikë pati edhe Darnell Edge. Nga dhjetë pikë shtuan Mikaile Tmushiq e Kevin Capers për këtë fitore të rëndësishme të Trepçës në këtë seri.

Te Ylli vetëm dy basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Si zakonisht, më i dalluari ishte Alonso Verge që regjistroi 32 pikë, 5 kërcime e 6 asistime por që nuk ishin të mjaftueshme për ta ndihmuar ekipin ta evitoj humbjen nga Trepça.

Tani seria finale do të bartet në Suharekë, me ndeshjen e dytë që do të luhet të dielën në palestrën “13 Qershori”.

You may also like