Zgjedhje të reja në veri – të lirohen 3 policët e Kosovës – Shqip

by admin
Spread the love

Prej muajsh shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell ka folur për nevojën e daljes nga cikli i menaxhimit të krizave midis Kosovës dhe Serbisë. Por sërish në Bruksel atij iu desh të organizonte një tjetër takim në vazhdën e menaxhimit të krizave, që zgjati më shumë se katër orë. Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës, të cilin Borrel e quajti krejtësisht të panevojshëm, bëri që fokusi i takimit të ishte shtensionimi i situatës në Veri. Por jo pa rezultat.

Në përfundim të takimeve bilaterale që Borrel zhvilloi me kryeministrin e Kosovës , Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai anonçoi se ka një dakortësi për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës, ku nevojitet të ketë pjesëmarrje të plotë edhe nga komuniteti serb, si dhe modalitetet e organizimit tê këtyre zgjedhjeve. Borrel ka ripërtërirë thirrjen për ndaljen e aksioneve policore nga forcat e rendit në Kosovës në objektet komunale në veri të Kosovë. Nga ana tjetër,  sipas tij, katër kryetarët e zgjedhur duhet të ushtrojnë  funksionin e tyre përkohësisht jashtë objekteve komunale. Borrell është shprehur, se protestuesit duhet të tërhiqen paralelisht me tërheqjen e policisë.

E reja tjetër përveç një dakortësie paraprake për zgjedhje të reja, ka qenë qëndrimi i përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe tê sigurisë së BE-së  për tre policët e Kosovës të arrestuar në Serbi. Borrell ka bërë të ditur, se i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Si zakonisht, Borrell ka nënvizuar nevojën për rikthimin në kuadrin e dialogut si e vetmja rrugë pêr normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve për dialogun, duke veçuar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka shtuar gjithashtu, se do të informojë 27 ministrat e punëve të jashtme të BE-së mbi takimin me Vuçiç dhe Kurti dhe rrugën që pritet të ndiqet në vijim.

Erisa Zykaj – TvKlan, Bruksel

You may also like