“‘Vrau’ dëshirën e jetës për Juventusin”, agjenti i Alegrit: Ju tregoj si grisi kontratën e firmosur me Realin për besnikëri

by admin
Spread the love

Humbja e fundit e pësuar kundër Napolit ka ngritur sërish dallgën e atyre tifozëve që duan të mbysin Masimiliano Alegrin. Trajneri është vënë sërish në shënjestër si fajtor për këtë moment shumë të vështirë të Juventusit dhe sa më shumë koha kalon, aq më tepër shtohen edhe pakënaqësitë ndaj livornezit.

Edhe çështja e rinovimit të mundshëm të kontratës ka mbetur vetëm në një tog fjalësh nëpër media, por në të vërtetë nuk ka asnjë skaletë dhe asnjë datë takimi se ku mund të hidhen bazat e akordit për zgjatjen e kontratës që skadon në 30 qershor 2025, por ndoshta Masimiliano Alegri edhe këtë datë mund të mos e kapë. Kjo, sepse vetë menaxheri i tij, Xhovani Brankini, në mënyrë indirekte theksoi se pakënaqësitë ndaj Alegrit edhe në klub kanë nisur:

“Si mund të mos jesh i lumtur për punën e Alegrit, duke parë se çfarë ka arritur të bëjë… Ndonëse nga kjo shoqëri dhe grup drejtuesish që janë aktualisht te Juventusi mund të presësh gjithçka”.

Nëse kjo dalje e të shtunës, përpara Napolit u duk e nxituar, në të vërtetë merr edhe një vazhdimësi, pasi vetë Brankini është irrituar nga fakti se askush prej drejtuesve, pas humbjes në stadiumin “Diego Armando Maradona”, nuk ka dalë që të mbrojë trajnerin dhe klientin e Brankinit, i cili në daljen e djeshme ka dashur që t’i kujtojë edhe një diçka shumë të rëndësishme klubit dhe mbi të gjitha tifozëve bardhezi që vazhdojnë protestat në rrjetet sociale.

“Gjithçka kishte marrë fund. Nëse Alegri do të kishte hedhur firmën, sepse mungonte vetëm e tija, Masimiliano do të kishte qenë trajneri i Realit të Madridit, – bën hyrjen e tij dekani i menaxherëve italianë.

– Në momentet e fundit, ai vendosi që të vrasë zemrën e tij, dëshirën e jetës dhe vendosi që të mos firmosë. Realisht nuk e kisha parë asnjëherë aq të mërzitur Alegrin, por edhe unë isha shumë i zhgënjyer. Ndonëse Reali i Madridit nuk të vjen gjithmonë nga pas, Masimiliano, për besnikëri ndaj Juves, vendosi që të mos firmoste për një klubi i cili i ofronte shumë më shumë jo vetëm në aspektin financiar, por në gjithçka, duke parë momentin që ndodhej Juventusi.

Por në fund, ai zgjodhi që të qëndronte në Itali, duke qenë se në atë periudhë ishin disa koincidenca që lidheshin edhe me jetën e tij familjarë, për të pranuar Juventusin në vend të Realit dhe të rikthehej. Nëse do të kishte qenë për mua… Por jo, Alegri zgjodhi që të mos tradhtojë Torinon, – vazhdon Xhovani Brankini. – Reali i Madridit është një klub fantastik, me profesionistë të pabesueshëm. Për Alegrin ishte një ëndërr ajo thirrje, edhe për mua…

Realisht do të kishte qenë sodisfaksioni më i madh profesional për Masimilianon, por motivi për të mos firmosur ishte aq human dhe serioz, sa unë dhe të gjithë ata që po e shtynim që të pranon Realin e Madridit, na u desh që të dorëzoheshim. Sepse pak e dinë sesa i palëkundur është Maks, kur vendos, aq sa vret edhe zemrën e tij, pavarësisht madhështisë së asaj oferte”, përfundoi menaxheri i 56-vjeçarit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

You may also like