Vrasjet masive, këmbanat që ranë në Beograd kërkojnë veshë

by admin
Spread the love
Çapajev Gjokutaj

Nga Çapajev Gjokutaj

Në harkun e 48 orëve, Beogradi u bë skenë e dy vrasjeve masive. E para ndodhi në një shkollë të kryeqytetit Serb, e dyta në 2 – 3 fshatra pranë tij. Në të parën një nxënës 13 vjeçar vrau 7 shokë e shoqe të klasës plus rojen e shkollës, në të dytën një 21 vjeçar vrau 8 vetë, duke ngarë poshtë e përpjetë, hipur në një makinë, si të ishte në një gjah safari me përmasa makabre. Dy vrasje masive brenda dy ditësh, 15 të vdekur dhe 21 të plagosur, 3 – 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Këto krime të njëpasnjëshme u bënë objekt edhe i mediave e rrjeteve sociale tek ne. Krahas parashtrimeve me qasje objektive e predispozitë humane, nuk munguan edhe zëra që fajësonin popullin serb në grup, si etni primitive dhe e dhunshme; të tjerë i gjenin rrënjët e dy masakrave në nacionalizmin luftëdashës dhe të egër serb.

E kultivuan këtë frymë në dekada, tani është e natyrshme t’i vuajnë pasojat, thoshte dikush nga një ekran televiziv. Nuk ia vlen të merresh me mllefin që po shfaqet në rrjete sociale, ku jo vetëm fajësohet populli e kultura serbe marrë në bllok por, në disa raste ekstreme krijohet edhe përshtypja se shkruesit fërkojnë duart për viktimat, sikur të mos ishin fëmijë të pafajshëm apo të rritur që u gjendën rastësisht në skenën e krimit, po sikur të ishin ushtarë sadistë të Millosheviçit përzier me paramilitarë të Arkanit, të përlyer kokë e këmbë me gjak gjatë genocidit rrënqethës në Kosovë.

Në fakt vrasjet masive të Beogradit janë kambana që bien për rajonin dhe më gjerë. Doemos edhe për ne.

2-

Megjithëse Serbia është plot me armë të mbetura nga konfliktet e viteve 1990, raportonte Washington Post, vrasjet masive janë gjë e rrallë, e fundit është regjistruar në 2013 kur një veteran vrau 13 vetë në një fshat të rajoneve qendrore.

Edhe në vende të tjera të rajonit dhe me gjerë në Europë krime të tilla janë relativisht të rralla, krahasuar me ShBA-të. Sipas burimesh të besuara, që nga viti 2018 ka pasur të paktën 207 incidente me armë zjarri vetëm në mjediset e shkollave, me 114 të vdekur dhe 245 të plagosur.

U bëra kurioz të dija shkaqet pse në ShBA vrasjet masive janë kaq të hasura dhe pyeta Chat GPT duke i thënë të mbështetej vetëm në burime shkencore. Mbeta i çmeritur kur vura re se të gjitha shkaqet kryesore, që përmendte makina, gjallojnë edhe tek ne, mbase më fuqishëm. Në vijim po rendis shkurt 3-4 prej tyre.

3-

Si shkak i parë përmendej lehtësia për të gjetur armë zjarri. Shtetet e Bashkuara, vazhdonte argumentin makina, kanë ligje relativisht liberale për shitblerjen dhe mbajtjen e armëve, gjë që e bën më të lehtë gjetjen e tyre nga individë që dëshirojnë të kryejnë akte dhune.

Në Shqipëri kemi ligje të forta për këtë punë, madje të amenduara herë pas here. Janë shpallur edhe 2-3 amnisti dhe prapëseprapë burime të besueshme thonë se vazhdojnë të jenë në qarkullim më shumë se 325 mijë armë zjarri, ku pjesën e luanit e ka kallashi. Po këto burime shtojnë se 7 në 10 vrasje kryhen me armë pa leje. Me humor të zi mund të thoshe: qejf për të vrarë të kesh, pa armët i gjen më lehtë se ombrellën🤡

Si shkak të dytë makina listonte faktorët kulturorë dhe shtjellonte se kultura amerikane vlerëson shumë individualizmin dhe autonominë personale, tipare këto që mund të kontribuojnë në prirje izolimi dhe shkëputjeje nga të tjerët. E gjithë kjo ngjall ndjenja zhgënjimi, dëshpërimi e zemërimi, që mund të çojnë në sjellje të dhunshme dhe në krime.

Ngjan se shoqëria jonë e sotme e ka goxha të theksuar prirjen individualiste, një individualizëm që, më shumë sesa si filozofi e tendencë sociale, shfaqet si dukuri primitive e nxitur edhe nga kriza e vlerave. Aq e thellë është kjo krizë vlerash, saqë të ngjan se janë lëkundur edhe parimet ‘e përjetshme’ morale të llojit ‘mos vidh’, ‘mos vra’ etj. Veç këtyre, varfëria thuajse endemike ul cilësinë e të jetuarit, e kthen jetën në mall skarco që mund të shkatërrohet e ndërpritet pa shumë mëdyshje. Vështirë se gjen vend tjetër në Europë që njeriu të vritet për një gardh a për një fjalë goje.

4-

Si shkak të tretë, pse vrasjet masive janë aq të përhapura në ShBA, makina listonte probleme të shëndetit mendor. Një pjesë e konsiderueshme e vrasjeve masive bëhen nga njerëz që më pas rezultojnë të kenë probleme të shëndetit mendor. Qasja në shërbimin për këtë shëndet është shpesh e kufizuar, kurse stigma ndaj tij jo rrallë i pengon njerëzit të kërkojnë ndihmë, përfundonte makina.

Raportet mes krimit dhe shëndetit mendor tek ne janë po këto, por mbase përtej grisë e pranë të zezës. Mes dhjetëra rastesh që raportohen çdo vit, emblematik mbetet ai i një të sëmuri mendor nga Palasa e Vlorës që në 2014 i preu kokën me sopatë një fëmije 12 -vjeçar ngaqë e kishte … mërzitur. Parahistoria dhe pashistoria e këtij krimi nxjerrin në pah një realitet bërtitës.

I sëmuri në fjalë, para se të kryente vrasjen e përbindshme, kishte hyrë e dalë disa herë nga spitali psikiatrik i Vlorës, ishte kthyer e rikthyer po kaq herë në fshat për t’u qeshur e përqeshur nga një pjesë e komunitetit, kurse pas krimit, ashtu i handakosur e i përhënur siç ishte, u flak mes të burgosurve në burgun e Fushë Krujës ku pak më vonë vrau veten. Jemi i vetmi vend ne Europë që nuk kemi një pavion burg për të mbajtur dhe trajtuar të sëmurët mendorë që kryejnë krime. Aksesi i popullatës në shërbimet psikologjike, nervore e psikiatrike mbetet i ulët qoftë pse shtrirja është e kufizuar, qoftë për shkak të stigmës, që në një vend të vogël e gjithë paragjykime, mbetet e lartë dhe gërryese.

5-

Si shkak i katërt renditej dukuria me emrin “efekti copycat” që në shqip mund të sillej: efekti imitues. Studiuesit, shtjellonte makina, kanë venë re se pasqyrimi mediatik jo profesional i vrasjeve masive mund të shpjerë në rritje të krimeve të ngjashme, pasi individët me prirje dhune mund të inkurajohen a frymëzohen nga publiciteti që mund të perceptohet si famë.

Efekti imitues është nga produktet kryesore të mediave tona kur raportojnë krimin e vrasjes. Për ta pranuar sadokudo ketë pohim mjafton të sjellim në mend sesi u përdor para pak ditësh skena e vrasjes së biznesmenit lezhian. Edhe televizionet më të mëdha e më të kualifikuara transmetonin e ritransmetonin me përshkrime e komente pafund si hynte portugezi në hollin e hotelit, si ngrinte dorën e zbrazte koburen, sikur të qe Avni Rustemi në Paris dhe jo një vrasës ordiner.

Efekti imitues bëhet veprues jo vetëm nga paraqitjet e detajuara dhe joprofesionale të krimeve, por edhe nga një dukuri tjetër: jo pak nga mediat tona transmetojnë thuajse të gjitha krimet që kryhen në vend, jo si prurje gazetarësh nga terreni, po si përcjellje e komunikatave të përditshme të drejtorive të policisë. Arsyet pse bëhet kjo mund të jenë të ndryshme, po rezultati mbetet i njëjtë: krijohet perceptimi i rremë se krimi është i kudogjendur, nuk është ngjarje e rrallë a përjashtim, por diçka masive. Kjo praktikë, dashje pa dashje i shtyn personat e prirur nga dhuna të arsyetojnë: “Kur kaq shumë veta e bëjnë, pse të mos e bëj dhe unë?”

Siç shihet tek ne ekzistojnë gjithë faktorët që nxisin vrasjet masive, ndaj bëjmë mirë që sa herë raportohen krime të tilla, të kryera tek fqinjët apo edhe më larg, të kujtojmë se këmbana bie edhe për ne.

You may also like