Vllaznia fitore “in extremis”, shkodranët mposhtin Kukësin dhe “shijojnë” Europën

by admin
Spread the love

Vllaznia ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në Loro Boriçi teksa fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Kukësit.

Sa i takon kronikës së sfidës, shkodranët u shfaqën më kërkues në pjesën e parë dhe patën shansin për të shënuar me anë të Hoxhajt në minutën e 10, ndërsa më pas provoi edhe Aralica.

Por, Kukësi “kërcënoi” seriozisht në minutën e 31-të kur pas një kundërsulmi të shpejtë Basa harkon në zonë me topin që devijohet dhe përfundon në shtyllë. Vllaznia dhe portieri Zogovic ishin me fat, megjithatë vendasit nuk u tronditën nga rasti i verilindorëve dhe në të 43-tën gjetën golin me anë të Da Silvës i cili ekzekutoi bukur me kokë ndërsa shfrytëzoi në maksimum harkimin e kapitenit Gurishta.

Në fraksionin e dytë, Vllaznia pati mundësinë e artë me Aralicën në minutën e 76-të teksa kroati nga fare pranë portës së Xhikës nuk u koordinua saktësisht me kokë. Dhe, ligji i pashkruar i futbollit u aplikua dhe nëse nuk shënon atëherë ndëshkohesh. Në minutën e 80-të, Shqiprim Taipi ekzekuton një goditje dënimi teksa portieri Zogovic nuk e kontrollon dhe aty përfiton Bruno Lulaj që ndëshkon shkodranët.

Në vazhdim, Vllaznia provoi të gjente sërish avantazhin dhe pati sukses falë talentit të shtëpisë Mehdi Çoba i cili shënoi në minutën e 95 për të rikthyer skuadrën në avantazh dhe për t’i falur tre pikë që e dërgojnë ekipin në vendin e tretë me 49 pikë, ndërsa Kukësi mbetet në vendin e pestë me 46 pikë dhe është në krizë rezultatesh pasi nuk fiton prej tetë ndeshjesh ndërsa ka humbur tre të fundit./ Super Sport


Top Channel

You may also like