(VIDEO) VLEN: Qeveritarët po lejojnë spiunimin e aleatëve amerikan dhe evropianë

by admin
Spread the love

Lidhja Evropiane për Ndryshim ka ngritur sot dyshime për përgjegjësinë e zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut në historinë e sanksionimit nga Thesari Amerikan të firmës maqedonase Cytrox, për spiunim me softuerin “Predator”. Partitë opozitare shqiptare theksojnë se Kompania Cytrox është në pronësi të spiunit izraelit Tal Dilian, ndërsa ka drejtor Ivo Malinkovskin, i afërt me qarqet qeveritare në Maqedoninë e Veriut.

Blerant Ramadani nga LEN theksoi se kjo kompani ka spiunuar zyrtarë amerikanë, gazetarë, ekspertë dhe arkitektë tjerë të politikës amerikane, ndërsa nëpër botë ka ndihmuar regjime të ndryshme të shkelin të drejtat elementare të njeriut, duke spiunuar e targetuar çdo disident të tyre.

BLERANT RAMADANI, LEN

“Qeveritarët e Maqedonisë së Veriut kanë ditur për veprimet e errëta të kësaj kompanie qysh në vitin 2022, ndërsa është vënë në listën e zezë në 2023. Ç‘është më e keqja, në këtë periudhë Maqedonia e Veriut ka kryesuar OSBE-në, organizatë që mision parësor e ka sigurinë. Mirëpo, përderisa ministri Bujar Osmani ishte i zënë duke shëtitur e duke u fotografuar nëpër botë, kjo kompani ka spiunuar zyrtarë amerikanë para hundës së qeverisë”

Ramadani ka rikujtuar se ky skandal spiunimi është vetëmse i fundit në një varg skandalesh anti-amerikane dhe anti-perëndimore, siç ishin edhe hakimet në zgjedhjet amerikane nga Velesi, zbulimi i folesë çetnike në Ministrinë e Mbrojtjes, takimi i Bujar Osmanit me Lavrovin, paradimet dhe fotografimet me agjentin rus Aleksandër Vuçiq e të tjera.

BLERANT RAMADANI, LEN

“Pas gjithë këtyre skandaleve parashtrojmë pyetjet: 1) Si është e mundur që nga një anëtar i NATO-s, të spiunohen zyrtarë të lartë amerikanë? 2) Pse Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë asgjë për shkatërrimin e softuerit Predator të firmës Cytrox, edhe pse ka qenë e alarmuar të paktën për dy vjet? 3) A përdoret softueri Predator për spiunim edhe në Maqedoninë e Veriut? A ka vazhduar kjo qeveri me taktikat e Mijallkovit? A ka dhe cila është lidhja mes izraelitit Tal Dalian dhe kompanisë izraelite që punon në fushatën e BDI-së? A është fushata e BDI-së e bazuar kryekëput në spiunime të ndihmuara nga kompani izraelite?”

Sipas partive opozitare shqiptare, të gjitha këto skandale, vetëm se vërtetojnë se Maqedonia e Veriut nën pushtetin LSDM-BDI është shndërruar në çerdhe anti-amerikane dhe anti-perëndimore.

Enis Murtezi /SHENJA/

 

 

 

MARKETING



You may also like