(VIDEO) Trevjetori i tragjedisë së autobusit në Llaskarcë

by admin
Spread the love




Një përvjetor shumë i trishtë për vendin, posaçërisht për Qytetin e Gostivarit. 13 shkurti i vitit 2019 ishte ditë fatale për 51 pasagjerët në autobusin e “Durmo Turs”, i cili qarkullonte në relacionin Shkup-Gostivar. Rreth orës 17:00, për arsye ende të paqarta, autobusi u përmbys në autostradën Tetovë-Shkup afër fshatit Llaskarcë, ku 16 persona humbën jetën ndërsa 38 të tjerë morën lëndime të rënda, fizike e psiqike. Udhëtarët, shumica prej të cilëve po ktheheshin nga puna dhe disa edhe në gjumë, nuk e kishin kuptuar se çfarë ishte duke ju ndodhur

Shoferi i autobusit nga kompania “Durmo Turs” kishte humbur kontrollin dhe kaloi mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës Tetovë – Shkup, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në hendek në afërsi të fshatit Llaskarcë.

Sipas hetimit të Prokurorisë Themelore Publike shkak i aksidentit kishte qenë mosfunskionimi i frerëve dhe shpejtësia e madhe prej 99 km/h. Mirëpo, gjykimi për këtë rast assesi nuk po merr epilog.

Gjykimi për rastin “Llaskarca” ka nisur në shtator të vitit 2019, ndërsa deri tani ka pasur mbi 100 seanca gjyqësore. Të akuzuar janë gjashtë persona, pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transportin e kompanisë Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoel Trifunovski akuzohen për kryerje të veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronësisë në komunikacion, ndërsa tre punonjësit e stacionit të Inspektimit Teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

Komuna e Gostivarit edhe këtë vit ka paraparë aktivitete për të kujtuar viktimat nga kjo tragjedi.

Emine Ismaili /SHENJA/

 


You may also like